Lëvizja Vetëvendosje, në mbledhjen e parë të kryesisë të mbajtur sot pas një kohe të gjatë për shkak të Covid-19, ka kërkuar nga organet e drejtësisë të zhvillojnë hetime të pavarura e transparente për zbardhjen e rastit të vdekjes tragjike të 26 vjeçarit, Agon Musliu nga Livoçi i Gjilani, i cili ndërroi jetë dje në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për masën e përkohshme që Gjykata Kushtetuese ndërmori ndaj dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për qeverinë e re dhe për përpjekjen e partive të PLAN-it me presidentin për të formuar një qeverisje jo kushtetuese, ilegale e jo legjitime, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ndër pikat tjera të sa i përketë aspektit politiko-organizativ u diskuta edhe për masën e përkohëshme që Gjykata Kushtetuese ndërmori ndaj dekretit jokushtetues dhe përpjekja e partive të PLAN-it me Presidentin për të formuar një qeverisje sa jokushtetuese aq edhe ilegale e jolegjitime. Po ashtu në mbledhje u theksua edhe përkrahja gjithnjë e në rritje nga qytetarët për Lëvizjen që vjen si rezultat i shumë punëve të mira në qeveri, menaxhim të mirë me situatën pandemike dhe konsistencën e saj karshi zotimeve për të cilat ka marrë besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media.
Ndryshe, mbledhja e sotme e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje u mbajt duke respektuar rregullat e kërkuara nga IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë dhe pati disa pika të rendit të ditës ndër të cilat edhe zhvillimet e fundit në vend. /GazetaSinjali/