Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion, njofton Gazeta Sinjali.
Ai tha se me këtë vendim, Avdullah Hoti u bë pjesë e krimit dhe korrupsionit.
“Shuarja e Task-Forcës kundër korrupsionit, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput me qëllim të parandalimit të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task-Force. Kryeministri Hoti e ka anashkaluar faktin se në kuadër të reformave institucionale, është duke ndodhur Rishikimi Funksional i Sektorit të Rendit dhe Ligjit”, tha ai.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ish-ministri Tahiri tha se Task-Forca kundër korrupsionit e ka dëmtuar rënd shtetin edhe në raport me procesin e liberalizimit të vizave, por edhe me partnerët strategjikë nga SHBA-ja dhe BE-ja.
“Dëmet e këtij vendimi, jo vetëm që po i shohim në mënyrë deklarative nga partnerët tanë, por do t’i shohim shumë shpejt edhe në praktikë. Jo vetëm që do t’i shohim në raport me aspiratat tona integruese e në procesin e liberalizimit të vizave, por do t’i shohim edhe në trimërinë që e kanë marrë akterët e kriminalitetit”, tha ai.
Tutje, Tahiri shtoi se veprime të tilla do të kthehet mbrapa përkushtimi për sundimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe për këtë deputeti opozitar përmendi edhe skandalin me 2 milionë eurot që u vodhën nga Thesari i Shtetit. /Gazeta Sinjali/