Në debatin parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021, deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti se agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në ‘qorrsokak’.
Në vazhdimin e seancës plenare, deputeti Tahiri tha po ashtu se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka në prioritet integrimin evropian, e që nxiti reagimin e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimit.
“Mirë që është prezent zëvendëskryeministri dhe dy ministra për të cilët i kam disa çështje ku do t’iu kërkoj edhe disa sqarime në raport me punën e qeverisë. Ajo që dua të them dhe konstatoj që agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në qorrsokak. Kemi një qeveri e cila nuk e ka në prioritet integrimin evropian dhe nuk e ka në prioritet ecjen përpara këtë fushë në raport edhe me atë çka është theksuar në raportin për vendin, por edhe me veprimet që kanë ndodhur”, u shpreh Tahiri.
Ndaj tij ka reaguar zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili tha se në çdo takim në Bruksel ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave, derisa përmendi edhe procesin e dialogut me Serbinë, ku veçoi si të arritur marrëveshjen për targat.
“Sa i përket dialogut, u tha këtu nga disa parafolës që ka pasur zero progres, mirëpo sigurisht që nuk i referohet as raportit për vendin, i cili e veçon marrëveshjen për targat si një marrëveshje të rëndësishme në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Sa i përket integrimit deputeti Tahiri po ashtu tha se ka pasur zero progres dhe si argumentim tha që nuk ka ndodhur asnjë takim për liberalizim. Mendoj që këtu ka qenë problemi, që në vazhdimësi integrimi është barazuar me liberalizim”.
Ai tutje tha se “Integrimi nuk është liberalizim i nderuar deputet, është gjithçka tjetër… Sa i përket liberalizimit ama bash në secilin takim që kemi në vendet e BE-së, tema e liberalizimit është temë qendrore dhe gjatë çdo vizite që edhe unë bëj në Bruksel, bëj takime anësore me ambasadorin e Francës ku diskutohet për procesin e liberalizimit, por vetëm është problemi që ju nuk jeni në ato takime dhe nuk i dini, por takimet ndodhin”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi nuk e la me kaq, ai akuzoi deputetin Tahiri se në qeverisjen Haradinaj ka pasur politizim të administratës publike, derisa u zotua se tash pritet të ndodhë depolitizimi.
“Pajtohem me këtë, por problemi është që në fillim ka qenë një Besnik Tahiri dhe tash ka ardhur një Besnik Bislimi. Do të thotë një herë ka ndodhur politizimi, tash pritet të ndodhë de politizimi”, tha ai.
Kundër replikë pati deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili potencoi se nuk ka punësuar asnjë të afërm të tij sa ka qenë zëvendëskryeministër. Tahiri tha se tash po shihet se kush ku po punësohet.
“Shiko zëvendëskryeministër, në qoftë se mundesh me gjet vetëm një njeri, një familjar që unë e kam punësuar si zëvendëskryeministër, unë jap çfarë do përgjegjësie politike morale. Nuk di a mundeni me thënë ju këtë, se a ka hyrë ndonjë familjarë i juaj. Sytë janë me pa, veshtë janë për me dëgju, e dimë kush po punësohet. Pra, vetëm për koeficient e pata”, tha ai.