image ​Qytetarët me COVID-19 do të kenë mundësinë të votojnë për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Politikë

​Qytetarët me COVID-19 do të kenë mundësinë të votojnë për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

news image

Qytetarët e prekur nga sëmundja infektuese me koronavirus dhe ata që janë në vetizolim në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit.

Me anë të një udhëzimi, që KQZ-ja miratoi në mbledhjen e sotme, thuhet se këta qytetarë duhet të konfirmojnë votimin dy ditë para zgjedhjeve. E në ekipin mobil të KQZ-së që do të mundësojë votimin e këtyre qytetarëve, përveç masave mbrojtëse, do të jetë edhe një punëtor shëndetësor.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj tha se regjistrimi për votimin e qytetarëve me koronavirus dhe ata të vetizoluar do të fillojë më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 27 nëntor.

“Në fazën e regjistrimit të mëtutjeshëm, regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta që praktikisht janë votuesit e infektuar me COVID dhe që janë në vetizolim përfundon dy ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë kanë mundësi nga dita që orientimisht e kemi marrë 15 nëntorin kur është ajo periudha dyjavore ku mund të jetë infektimi i tyre potencial. Kemi konsideruar se nga ajo periudhë e deri më 27 nëntor është koha kur mund të regjistrojmë të gjithë votuesit që janë me COVID apo në vetizolim. Ndërsa periudha e votimit të tyre është një proces tjetër. Në listat që kemi gjatë regjistrimit të tyre si votues, ata i identifikojmë në listën përfundimtare të votueseve. Kjo do të thotë se në listën përfundimtare të gjithë atyre do të vuloset emri i tyre që nënkupton se ai nuk mund të votojë në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Ahmetaj në mbledhjen e sotme bëri të ditur se në zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore janë pranuar edhe 450 aplikacione për votim me postë.

“Sipas komunave ku mbahen zgjedhjet për kryetar komune, 447 votues janë nga komuna e Podujevës dhe tre nga komuna e Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

Krahas kësaj, ky institucion zgjedhor vendosi që të enjten të hedhet shorti për renditjen në fletëvotim të subjekteve politike dhe kandidatëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Edhe në mbledhjen e sotme pati replika dhe akuza të ashpra ndërmjet anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe atij të PDK-së, Arianit Elshani.

“Mollë” sherri u bë një shqetësim i LVV-së që njëra prej anëtarëve në KKZ nuk është e pavarur, por anëtare e PDK-së.

E përfaqësuesi i kësaj të fundit në KQZ-së, Arianit Elshani e mohoi një gjë të tillë, derisa tha se në të kaluarën edhe Sami Kurteshi ka qenë në PDK, por kjo nuk do të thotë që është më.

“Zotëri Kurteshi ka qenë më herët në PDK, por kjo s’do të thotë që është në PDK. Por edhe ata që po çojnë mesazhe kanë qenë pjesë e PDK-së, por nuk janë pjesë më”, tha ai.

E kjo zgjoi reagimin e Sami Kurteshit, i cili deklarimet e Elshanit i ka cilësuar si një gënjeshtër.

“Kjo është gënjeshtër publike. Nëse është gënjeshtër publike duhet demantuar, nuk e di cila është arsyeja të përdoren këto gënjeshtra publike”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka iu kërkoi të dyve të dalin jashtë të sqarohet në mënyrë që të vazhdojnë mbledhjen.

“Sami dhe Arianit nëse keni nevojë për diskutime urdhëroni vazhdoni jashtë diskutoni na lejoni të përfundojmë mbledhjen”, tha ajo.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut do të mbahen më 29 nëntor. /Gazeta Sinjali/