image ​PDK: Osmani do të bojkotohet derisa ajo të ndalojë shkeljet ligjore

Politikë

Politikë/ ​PDK: Osmani do të bojkotohet derisa ajo të ndalojë shkeljet ligjore

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar me akuza ndaj kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit deklaroi sot se partia më e madhe opozitare në vend po e bojkoton punën e Kuvendit nga data 3 shkurt kur edhe u votua Qeveria Kurti.

Në një komunikatë për media, PDK e ka quajtur gënjeshtare Vjosa Osmanin për shkak të deklarimeve rreth bojkotit të takimit të sotëm të Kryesisë së Kuvendit, në të cilin u ndan komisionet parlamentare, tetë prej tyre do të udhëhiqen nga pozita dhe gjashtë nga opozita, prej tyre tri nga PDK-ja.

“Vjosa Osmani edhe sot gënjeu publikisht para gazetarëve se PDK po e bojkoton Kuvendin nga data 3 shkurt kur u votua Qeveria. Kjo nuk është e vërtetë. As që do të ketë bojkot, siç do ajo. Bojkoti është për të dhe manipulimet e saja për të mekanizuar për lojëra të veta politike, institucionin më të lartë të vendit. Të gjithë qytetarët e kanë ndjekur seancën më 3 shkurt dhe deputetët e PDK-së ishin aty, madje të gjithë kanë diskutuar në atë seancë. Ndërsa, deputetët e PDK-së nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në seancën tjetër të asaj dite për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse ajo ishte seancë klandestine”, thuhet në komunikatë.

PDK sqaron se deputetët e saj janë njoftuar vetëm 5 minuta para seancës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, për të cilin post kandidat i vetëm ishte Vjosa Osmani nga radhët e LDK-së.

“Fare qartë u pa se ajo ishte seancë e përjashtimit tonë, për të mos pasur mundësi të marr pjesë opozita në të. Qëllimi i qartë i kësaj loje të rrezikshme ishte frika nga ballafaqimi me transparencën e shkarkimit të një kryetari Parlamenti dhe zgjedhja e një kryetari të ri si Osmani, në rrethana më të paqarta politike dhe flirtim të rrezikshëm politik me Beograd in, përkatësisht Listën Serbe. Atë natë u shtjellua një precedan i rrezikshëm: Koalicioni me Beogradin dhe Listën Serbe i padeklaruar, do të mbajë të gjallë këtë qeveri dhe këtë pseudokryetare Kuvendi, e cila me çdo kusht synon të nxjerr jashtë Kuvendit udhëheqësin e opozitës”, thuhet më tutje në komunikatë.

“PDK kërkon që Vjosa Osmani të kryejë obligimin ligjor, të kthejë fotot e presidentit Hashim Thaçi dhe Adem Jasharit në vendin e vet. Po ashtu, të mbajë foton e ish-presidentit Rugova në kabinet dhe të luajë rolin e vet kushtetues si spikere e Kuvendit, siç duhet ta ketë”.

“PDK si lidere e opozitës nuk do të merret me Osmanin, por me oponentët e saj politikë, por kryetarja e Kuvendit, sipas kësaj partie, duhet ta kuptojë se do të bojkotohet derisa të ndalojë shkeljet ligjore në institucionin e Kuvendit”. /Gazeta Sinjali/