Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar gjitha partitë parlamentare të votojnë pro propozimit të tyre për pakon emergjente, pasi sipas tyre adreson nevojat e qytetarëve në kohën me pandeminë COVID-19.
Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, në një konferencë për medie theksoi se propozimi prej 320 milionë eurosh bazohet në burime të sigurta financimi, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal.
Totaj tha se partitët duhet të anashkalojnë ndasitë politike dhe të bëhen bashkë.
“Partia Demokratike e Kosovës propozimin e saj për pakon 320 milionë euro e bazon te tre burime të sigurta financimi, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare që të lëmë mënjanë ndasitë politike, por të bëhemi bashkë për ta plotësuar dhe miratuar pakon që do të mundësojë shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë”, tha ai.
Totaj bëri të ditur se në seancën e nesërme të jashtëzakonshme do të propozojnë një rezolutë dhe dy projektligje./Gazeta Sinjali/