image ​OEK: Të zbuten masat për disa sektorë të bizneseve

Kosovë

Ekonomi/ ​OEK: Të zbuten masat për disa sektorë të bizneseve

news image

Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar që të fillojë nga java e ardhshme zbutja e masave për disa sektorët të bizneseve në vend.

Drejtues të OEK në një konferencë për media kërkuan po ashtu që nga java e ardhshme, Prishtina të largohet nga karantina, të lejohet puna në sektorë që kanë rrezikshmëri të ulët, siç janë ndërtimtaria dhe prodhimi. Po ashtu të futen mjetet në qarkullim dhe të vazhdohen lehtësirat fiskale.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi ka folur për hapjen e rrugës drejt ekonomisë, i cili tha se 98 përqind e ndërmarrjeve janë të prekura direkt apo indirekt nga pasojat e pandemisë, ndërsa sipas tij, në rast se zgjatet edhe më tej ky bllokim, mund të rrezikohen mbi 50 përqind e bizneseve në vend.

Rukiqi po ashtu ka propozuar që për rimëkëmbjen ekonomike, fondit duhet të jetë deri në 600 milionë euro.

“Duke u bazuar në kapacitetet e Prishtinës, ne mendojmë që Prishtina duhet me u largua nga karantina që nga java tjetër, ndërsa në nivel të Kosovës po ashtu duke filluar nga java tjetër duhet me u lejua puna në sektorët që kanë rrezikshmëri të ulët, ku situate mund të menaxhohet mirë përfshirë distancën sociale, protokollin e sigurisë, dezinfektimin e të tjera. Ne mendojmë se komplet prodhimi duhet të lejohet dhe të jetë në kapacitet të plotë. Shumë me rëndësi është që mjetet e pakos emergjente të futen në qarkullim”, thotë Rukiqi.

Ai po ashtu tha se duhet të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve, duke filluar nga java e tretë majit në tërë Kosovën, si dhe të hartohet plani operacional për hapjen e graduale të hoteleve, restoranteve, kafiterive dhe transportit.

“Gjatë majit, duhet të mundësohet fillimi i punës në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë. Propozimi ynë është që kjo të lejohet në objektet deri në 800 metra katror. Pra, kjo të bëhet nga java e parë e majit, pastaj të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve duke filluar nga java e tretë e majit. Në të njëjtën kohë të harrohet një plan opercaional për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restoranteve dhe kafiterive, si dhe transportit të udhëtarëve, me aq sa mund të lejohet me rregullat e mbajtjes së distancës sociale, njëjtë siç po bëjnë edhe vendet tjera sa i përket fluturimeve, hapjes së aeroporteve që mos të bllokohet komplet qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave”, deklaroi ai.

Rukiqi po ashtu tha se deri më 10 qershor të jetë e gatshme korniza e rimëkëmbjes ekonomike e bazuar në analiza për sektorët më të dëmtuar.

Kreu i OEK thotë se fondi prej 600 milionë euro, duhet të ketë burimet 200 milionë euro nga FMN, BB, 70 milionë nga BERZh, 200 milionë nga buxheti dhe bilanci bankar dhe 100 milionë euro nga borxhi publik dhe Trusti.

“Pakoja e rimëkëmbjes për vitin 2020 dhe për 2021 do të duhej të ishte mes 550 milionë dhe 600 milionë euro, pakë a shumë e adreson edhe këtë rënie ekonomike edhe humbjet në ekonomi që ne do t’i kemi si pasojë e pandemisë. Mbi këtë bazë ne besojmë që 600 milionë euro munden me qenë një kontribut i duhur dhe që mundet me ndikuar në rimëkëmbje të shpejt të ekonomisë. Vendimet duhet me qenë të koordinuara nëse dëshirojmë me ruajt ekonominë, përndryshe pastaj nuk ka më na shpëtuar as një fond e asnjë financim, asnjë qeveri e asnjë Institut, prandaj, ne duhet me qenë të koordinuar në mënyrë që edhe pasojat dhe përgjegjësitë t’i marrim së bashku”, tha Rukiqi.

Sipas tij, fokusi i pakos duhet të jetë për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë, për likuiditetin e kompanive, për krijimin e vendeve të punës, dhe për aftësi konkurruese të bizneseve në tregjet e jashtme, si dhe integrimi në zinxhirët ndërkombëtar të furnizimit.