image ​Komunat identifikojnë hapësirat për spitale fushore të kërkuara nga MSh

Shëndetësi

​Komunat identifikojnë hapësirat për spitale fushore të kërkuara nga MSh

news image

Kërkesat e mëdha të pacientëve për hospitalizim në spitalet regjionale të Kosovë, por edhe në klinikat COVID të QKUK-së, kanë bërë që Ministria e Shëndetësisë të ngrejë alarmin për shtimin e kapaciteteve të reja spitalore nëpër komunat e Kosovës.

Komunat tashmë i kanë identifikuar hapësirat se ku do të mund të trajtoheshin pacientët e infektuar me koronavirus në rast se do të rriten kërkesat për trajtim mjekësor.

Palestra sportive e hapësira brenda Qendrave të Mjekësisë Familjare janë vlerësuar se plotësojnë kushtet për të vendosur shtretërit. Por, sipas mjekëve dhe drejtorëve të shëndetësisë, në këto hapësira të improvizuara mund të ofrohen vetëm shërbime ditore për terapi, por jo edhe kujdes të avancuar spitalor.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi thotë se pas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë ata kanë paraparë që në rast nevoje reparti i maternitetit në këtë qendër të shndërrohet në hapësirë COVID.

Derisa ky repart i ka vetëm 12 shtretër, Krasniqi nuk e përjashton mundësinë e dyfishimit të këtyre shtretërve, por sipas tij, kjo hapësirë është adekuate për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

“Gjithsesi i kemi planifikuar edhe i kemi në kuadër të menaxhimit të krizës në këtë rast nëse vjen deri tek rritja e fluksit të pacientëve të infektuar me COVID që kërkojnë ndihmë, atëherë është shërbimi i materniteti i cili edhe më herët e kemi shndërruar komplet në ambulantë COVID është një ambient shumë i përshtatshëm për të rritur kapacitet nëse vijmë deri tek ajo emergjencë. Momentalisht janë 12 shtretër por mund të dyfishohet numri nëse vijmë në një situatë të tillë“, theksoi Krasniqi.

Kati i dytë i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, i cili është objekt i ri mjekësor, është paraparë të bëhet si hapësirë për trajtimin e pacientëve me COVID në këtë komunë në rast të shtimit të kërkesave mjekësore.

Por, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Mustafë Gashi thotë se në këto hapësira mund të ofrohen vetëm shërbime ditore, por jo edhe kujdes i avancuar hospitalor.

“Qendra e re e Mjekësisë Familjare, kati i dytë i cili momentalisht ka qenë i shfrytëzuar, tash atje i kemi organizuar hapësirat dhe kapacitet për shtrim të pacientëve, por për qëndrim ditor për ta marrë terapinë nëse paraqitet nevoja për kujdes të avancuar apo hospitalor atëherë duhet që të ketë një bashkëpunim me nivelin qendror, me QKUK, me ekipe mjekësore të specializuara për trajtimin e sëmundjes”, theksoi Gashi.

Edhe Komuna e Gjakovës tashmë i ka propozuar dy hapësira fushore ku janë paraparë të vendosen rreth 100 shtretër në rast të nevojës.

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Afërdita Spahiu-Shllaku thotë se palestra sportive “Shani Nushi” dhe salla sportive e Fakultetit të Edukimit “Fehmi Agani” janë si mundësi për vendosjen e shtretërve në rast të krizës.

Spahiu-Shllaku thotë se për t’i funksionalizuar këto hapësira nga Ministria e Shëndetësisë kanë kërkuar shtretër, pajisje të oksigjenimit por edhe staf mbështetës pasi ato mungojnë.

“Kemi dhënë dy propozime: Salla sportive ‘Shani Nushi’ dhe salla sportive tjetër e Fakultetit të Edukimit ‘Fehmi Agani’. Është paraparë të vendosen diku 100 shtretër. Shtretërit nuk i kemi në dispozicion, por ministria ka kërkuar përpos shtretërve edhe sa staf na duhen për mbikëqyrje, oksigjenator, respirator e mjete tjera që duhen për trajtimin e pacientëve me COVID. Për momentin vetëm i kemi përcjell informacionet, por përgjigje nuk kemi marrë”, theksoi ajo.

Palestra sportive e shkollës së mesme “Marin Barleti” por edhe ajo e shkollës fillore “Selami Hallaqi” janë propozuar nga Komuna e Gjilanit si hapësira fushore për të rritur kapacitetet spitalore për pacientët me koronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili thotë se për të realizuar një plan të tillë iu duhet mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sipas kërkesës së MSh-së ne si Komunë, si shtab emergjent, në bashkëpunim me QKMF-në i kemi identifikuar dy hapësira që janë palestra të sporteve të shkollave të mesme, njëra është e shkollës ‘Marin Barleti’ dhe tjetër e shkollës fillore ‘Selami Hallaqi’, ku në rast të eskalimit të situatës me COVID-19 ne do të vendosnim 100 shtretër alternativ, por si Komunë i kemi dorëzuar kërkesat për shtretër, pajisje shtesë për oksigjenoterapi dhe për staf mbështetës për ofrimin e shërbimeve shtesë në rast se paraqitet nevoja për trajtim jashtë hapësirave të Spitalit Regjional”, deklaroi Xhemaili për KP.

Gjatë kësaj jave ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se kanë përgatitur skenarë për zgjerim të kapaciteteve edhe në Kujdesin Parësor Shëndetësor, por edhe mundësinë e krijimit të spitaleve të improvizuara të karakterit fushor. Ai tha se në këto hapësira do të trajtohen kryesisht pacientët me gjendje më të lehtë shëndetësore ku do kenë mundësinë të marrin vetëm terapinë ditore.

/GazetaSinjali/