Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë është duke kërkuar që drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani të japë dorëheqje, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo pasi që siç thuhet në komunikatën e PDK-së së Fushë Kosovës, nxënësit e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno” nuk kanë mbajtur mësim online tash e 14 ditë.
“Tash e katërmbëdhjetë ditë nuk është zhvilluar mësimi online në SHFMU ‘Mihal Grameno’ të Fushë Kosovës. Që nga mbyllja e saj për shkak të koronavirusit nuk është mbajtur asnjë orë me platformën zoom, geogle etj. ashtu siç edhe parashihet me planin e Ministrisë së Arsimit”.
Gjithashtu thuhet se janë humbur plot 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe.
“Janë humbur plot 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe. Është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë, e cila nuk është në gjendje ta menaxhojë arsimin as në kushte normale. Nxënësve u është thënë vetëm ta përcjellin nga televizonet mësimin, por nuk ka pasur asnjë mbikëqyrje apo angazhim të mësimdhënësve në këtë proces”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Fushë Kosovë.
Tutje thuhet se “DKA ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj, andaj drejtori i arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, duhet të japë dorëheqje. Ndërkaq, kërkojmë që sa më shpejt të fillojë mbajtja e mësimit online për nxënësit e ‘Mihal Grameno’”./Gazeta Sinjali/