Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë adresuar një mori kritikash për Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Ani pse në seancën e sotme, nuk u hodh në votim raporti i punës së këtij institucioni, të zgjedhurit e popullit kërkuan efikasitet më të madh nga OSHP-ja. Madje disa prej tyre kërkuan që të ndryshohet struktura e OSHP-së dhe e njëjta të inkuadrohet brenda gjyqësorit në vend, shkruan Gazeta Sinjali.
Kritika më të mëdha ndaj këtij organi u adresuan nga Lëvizja Vetëvendosje, ku deputeti Hekuran Murati tha se një numër i madh i tenderëve nga OSHP-ja gjykohen gabimisht dhe qartazi shihet se ka mbështetje për palë të ndryshme.
Mbi këto arsye, Murati tha se nuk do të mbështesin një raport të tillë.
“Ne si grup parlamentar nuk mund të mbështesim një raport të tillë, marrë parasysh punën edhe funksionin e rëndësishëm që e ka ky institucion. Realisht mos punën në zbatimin e atij funksioni. Vlen të theksohet së fundi edhe tenderi 5 milionësh që i është dhënë ministrit të po kësaj qeverie. Në fund ka marrë dritën e gjelbër pikërisht prej këtij institucioni, e kur kemi raste të tilla që një institucion të jep tenderë ministrave është e papranueshme për ne dhe nuk mundemi që të mbështesim një raport nga ky institucion”, tha ai.
Megjithëse PDK-ja u shpreh pro miratimit të raportit të punës së OSHP-së, deputeti Abelard Tahiri tha se mënyra e zgjedhjes anëtarëve të këtij institucioni duhet të ndryshojë.
Duke qitur në pah problemet që ka ky raport, Tahiri tha se çdo vit po ndodhin abuzimet e njëjta, prandaj ky ndryshim do të pamundësonte një gjë të tillë.
“Mënyra se si zgjidhen këta anëtarë të këtij institucioni të rëndësishëm, apo bordi që përbehet prej 5 anëtarëve, duhet të ndryshojë. Prandaj mendoj që ky organ vendin e ka në kuadër të gjyqësorit të Republikës së Kosovës. Ky do të mund të ishte një departament i veçantë, qoftë brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës, apo ndonjë institucioni tjetër këshillit gjyqësor. Por asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë të veprojë si i tillë, pasi çdo vit po i kemi raportet edhe abuzimet e njëjta. Prandaj ndryshimi i strukturës do të pamundësonte të ndodhin shumë abuzime që mund të ndodhin”, tha ai.
Ndërsa, në LDK u shprehën mbështetjen pro këtij raporti, por deputeti Shkelzen Hajdini i paraqiti edhe dy rekomandime që duhet të përfshihen në këtë raport.
“Ky raport i OShP përmbush kriteret për raportim. Ne në emër të LDK-së do të votojmë këtë raport me rekomandim që shqyrtimi i lëndëve nga kjo organizatë buxhetore të ndodh nga ekspertë të fushës dhe me rekomandimin që vonesat e shkaktuara të lëndëve të mos ndodhin më”, tha ai.
Mbështetje këtij raporti i dhanë edhe grupet tjera parlamentare, pavarësisht kësaj në sallë ishin vetëm 55 deputetë duke e bërë të pamundur miratimin e tij. /Gazeta Sinjali/