image ​Podujeva e gatshme për fillimin e mësimit, sfidë mbetet dezinfektimi i shkollave
[wp-story id="814678"]

Arsim

​Podujeva e gatshme për fillimin e mësimit, sfidë mbetet dezinfektimi i shkollave

news image

Komuna e Podujevës është e gatshme që nga dita e hënë t’i hapë dyert e shkollave për nxënësit e kësaj komune. Por, sfiduese për këtë komunë mbetet dezinfektimi i hapësirave shkollore çdo ditë.

U.D i kryetarit të kësaj komune, Nexhmi Rudari thotë se telashe për zbatimin e masave do të kenë më shumë në shkollat në qytet ku numri i nxënësve është më i madh, por siç thotë ai, tashmë dezinfektimi është bërë dhe shenjat për distancë i kanë vendosur.

“Sigurisht që kemi bërë planifikime që klasat e mëdha të ndahen në dy grupe, ndërsa ora nuk do jetë 45 minuta, por më e shkurtër. Nuk do të ketë më shumë se 15 nxënës në klasë. Problem i veçantë do të jetë dezinfektimi i vazhdueshëm, sepse Komuna e Podujevës i ka mbi 70 mijë metra katrorë hapësira shkollore dhe që çdo ditë të dezinfektohet kushton bukur shumë. Ne do të kemi një kontratë me një operator që bënë dezinsektimin, dezinfektimin dhe deratizimin, por kemi shikuar mundësinë që të bëhet një kontratë e veçantë vetëm më dezinfektimin e hapësirave”, tha Rudari.

Derisa thotë se gjendja me COVID-19 në Podujevë tashmë ka nisur të stabilizohet, nënkryetari i kësaj komune i cili tashmë është duke e ushtruar detyrën e kryetarit, thotë se janë duke u munduar të sigurojnë buxhet shtesë për të blerë teste serologjike.

Por, përveç blerjes së këtyre lloj testesh, Rudari thotë se duhet të bëhen edhe përgatitjet në laboratorin mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në këtë kohë pandemie, në disa fshatra të Komunës së Podujevës janë mbyllur Qendrat e Mjekësisë Familjare. Këtë veprim u.d. i kryetarit të kësaj komune e arsyeton duke thënë se stafi mjekësor i këtyre QMF-ve është zhvendosur në qendrën kryesore me qëllim që të ofrohen më shumë kapacitete për t’u dalë në ndihmë pacientëve të infektuar.

Sipas tij, me stabilizimin e situatës me COVID-19, këto QMF do të rihapen. /Gazeta Sinjali/