image ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë - Sinjali

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë

news image

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Trupi gjykues i ka treguar dëshmitarit disa fotografi në të cilat ai ka thënë se “Cali” është i vetmi person që njeh.

Seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka vijuar e mbyllur në pjesën më të madhe të kohës derisa dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues të kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia.

Dëshmitari i pestë i mbrojtur i ZPS-së ka thënë se gjatë luftës nuk e ka ditur që “Skifterët” ndryshe janë quajtur edhe BIA, por sipas tij, këtë e ka mësuar pas luftës.

Gjyqtarja Foglia: A e dini ju nëse kanë pasur ndonjë emër tjetër Skifterët?

Dëshmitari: Jo nuk e di.

Gjyqtarja Foglia: Ajo që po thua ti është se gjatë luftës ti nuk e dije që Skifterët quheshin ndryshe edhe BIA.

Dëshmitari ka thënë se në bazën e “Skifterëve” ka shkuar vetëm njëherë dhe nuk ka hyrë brenda në objekt.

Dëshmitari: Nuk kemi hy në objekt, vetëm e kemi lënë ushqimin aty e ka marrë një ushtar dhe kemi vazhduar rrugën.

Gjyqtarja Foglia: A e di ti nëse forcat serbe kanë arritur në bazën e Skifterëve gjatë ofensivës serbe?

Dëshmitari: Po, mendoj që në gjithë pjesën e Zllashës kanë hyrë forcat serbe.

Ndërsa, për dy fotografi që gjyqtarja i ka treguar dëshmitarit, të cilat nuk ishin publike, ai ka thënë se aty e identifikon “Calin” me kapelë të kuqe.

Në pjesë të tjera, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Me pyetjet e trupit gjykues për dëshmitarin e pestë të mbrojtur ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa i njohur si komandant Cali.

Dëshmitari i gjashtë do të dëgjohet të mërkurën më 10 nëntor.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte, raporton KP.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin