Botë/ ​BE kërkon negociata të shpejta me Londrën pas Brexit

news image

Drejtuesit e Bashkimit Evropian kërkojnë rifillimin sa më shpejt të diskutimeve mbi një marrëdhënie të re tregtare me Britaninë e Madhe, pas Brexit-it të parashikuar më 31 janar.

Në projektraportin e tyre të samitit të ardhshëm evropian, që do të zhvillohet më 12 dhe 13 dhjetor në Bruksel, presidentët dhe kryeministrat e Bashkimit Evropian ftojnë Komisionin Evropian të prezantojë një projektmandat global për një marrëdhënie të ardhshme me Britaninë e Madhe menjëherë pas tërheqjes së saj.

Ky mandat pritet të miratohet sa më shpejt nga shtetet anëtare.

“Negociatat do të duhet të organizohen në atë mënyrë që të shfrytëzohet sa më mirë të jetë e mundur ajo pak kohë e disponueshme për negociatat dhe ratifikimin”, sipas draftit.

Britanikët do të hyjnë, pas largimit të tyre nga BE, në një periudhë tranzicioni deri më 31 dhjetor 2020, gjatë të cilës ata do të vazhdojnë të aplikojnë rregullat evropiane dhe të përfitojnë prej tyre.

Ky tranzicion parashikon të shmangë një shkëputje brutale dhe të japë më shumë kohë për negocimin e marrëdhënies së ardhshme. Ajo mund të zgjatet vetëm një herë deri në fund të vitit 2022.

Por, kryeministri aktual, Boris Johnson përjashtoi çdo shtrirje nëse fiton zgjedhjet më 12 dhjetor./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: