image ​85 nxënës dhe 45 mësimdhënës të infektuar në Prishtinë, mësimi ende vazhdon në shkolla - Sinjali

​85 nxënës dhe 45 mësimdhënës të infektuar në Prishtinë, mësimi ende vazhdon në shkolla

news image

Përderisa në kryeqytet vazhdon të jetë numri i lartë i rasteve të reja me COVID-19, nuk planifikohet që procesi mësimor të mbahet online.

Në komunën e Prishtinës që nga fillimi i vitit të ri shkollor, janë 85 nxënës që janë infektuar me koronavirus, ndërsa janë edhe mbi 45 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv. Megjithatë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë vlerëson se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, bënë të ditur se aktualisht janë 6 shkolla që procesin mësimor janë duke e mbajtur online.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShPK-në dhe në momentin që e kemi një nxënës të infektuar atëherë gjithë klasa po udhëzohet që të shkojë në mësimin online dhe kjo është ndoshta mënyra më e mirë dhe përhapja është më e ngadalshme për shkak të menaxhimit të përbashkët që jemi duke e bërë me IKShPK-në. Për momentin mund të themi që është duke shkuar mirë, por ne jemi dëshmitar të rritjes së rasteve brenda ditës, nëpër shkolla janë duke u respektuar protokollet. Ne si DKA jemi çdo ditë në terren dhe i shohim që protokollet brenda shkollës respektohen”, thotë ajo.

Shala deklaron se janë mbi 85 raste të infektimit të nxënësve me COVID-19 dhe mbi 45 mësimdhënës. Pavarësisht kësaj, ajo thotë se situata në shkollat e kryeqytetit është e menaxhueshme dhe do të vazhdojë mbajtja e mësimit në objektet shkollore.

Sa i përket mosmarrjes pjesë në ligjëratat online, Shala thotë se edhe nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë gjë marrin mungesa.

“Tani mësimi online është i barasvlershëm me mësimin në shkollë, secili mësimdhënës i cili mungon në mësimin online llogaritet mungesë si të ishte në objektin shkollor. E njëjta gjë është edhe për nxënësit, do të thotë mungesat të cilat fëmijët i bëjnë në mësimin online llogaritet që i bëjnë në shkollë, sepse aktualisht jemi në një situatë që në rast të infektimeve mësimi kthehet online nga mësimi i rregullt dhe ndjekja e mësimit është obligative dhe mungesat duhet të merren të njëjta si në shkollë”, thotë Shala. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin