image ​ZRrE pret vendimin e Apelit, çmimi i shtrenjtë i energjisë mbetet në fuqi

Kosovë

​ZRrE pret vendimin e Apelit, çmimi i shtrenjtë i energjisë mbetet në fuqi

news image

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu e ka quajtur vendim të drejtë shtrenjtimin e energjisë elektrike, pavarësisht masës së përkohshme që i ka vendosur Gjykata Themelore.

Ai gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, tha se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar do të jenë në fuqi deri kur të vendosë Gjykata e Apelit.

“Ne kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke shfrytëzuar të drejtën tonë të ankohemi në gjykata në nivelet e tjera sa i përket vendimit të Gjykatës Themelore. Ky vendim nuk është i formës së prerë, ka hapësirë ankim nga ZRrE-ja, cilido vendim që do të jetë nga Gjykata e Apelit ne do të respektojmë dhe do të implementojmë”.

“Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i zbatueshëm menjëherë dhe të kaluarën ka pasur raste të tilla të shkallës së parë, momentin e gjykatave të ne si ZRrE kur kemi fituar rastet s’ka pasur nevojë për zbatim, momentin që kemi humbur rastet kemi vepruar ashtu siç ka vendosur Gjykata e Apelit”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, kryetari i komisionit për ekonomi, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se aktualisht kërkesa për import të energjisë është nën 1 për qind.

Rrjedhimisht, ai pyeti kryesuesin e bordit të ZRrE-së për mundësitë që gjatë muajve të verës kur kapacitetet vendore i plotësojnë kërkesat e energjisë të shfuqizohen tarifat e reja të energjisë.

“A ka mundësi që qytetarët të bëjnë kërkesë që gjatë muajve të verës, tash kur s’ka nevojë për import dhe kur shpenzimet e operatorëve janë pa shpenzime shtesë që të kthehet situata në normalitet dhe gjendjen paraprake. Sot kam informacione që kërkesa për import është nën 1 për qind”, pyeti deputeti opozitar.

Mirëpo, Fejzullahu tha se ZRrE-ja në shqyrtimin tarifor e ka marrë parasysh muajt që nuk do ketë nevojë për import të energjisë.

ZRrE-ja edhe në shqyrtimin tarifor ka marrë parasysh muajt që nuk do të ketë nevojë për import. Ju mund të shkoni edhe në bilancin e aprovuar, shihet aty se ne gjithmonë e dimë se në disa muaj nuk kemi nevojë për import. Ajo kosto shtesë e cila është njohur është shpërndarë në periudhë vjetore te të gjitha kategoritë që e kanë shkaktuar atë kosto shtesë”, theksoi ai.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti për humbjet milionëshe të energjisë në veri të vendit.

“Janë paguar mbi 70 milionë euro, (për veriun) kjo është e papërballueshme dhe pothuajse ne kemi pruar një ndërmarrje profitabile si KOSTT afër falimentimit. Sa do të vazhdojë kjo dhe a keni shpresë së kjo do të zgjidhet”, pyeti Lekaj.

Përkitazi me këtë, Fejzullahu tha se ka përafrime për licencimin e kompanisë Elektroserver në veri.

“Licencimi i Elektroserverit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit që është arritur në vitin 2013 dhe konkluzave të vitit 2015. Ajo marrëveshje nuk ka mundur të realizohet për shkak të pengesave nga pala serbe. Ne jemi duke bërë përpjekje, ju e dini se qeveria, por edhe ZRrE-ja si pjesë e këtij diskutimi në Bruksel kemi arritur të përafrohemi në çështjen e licencimit të Elektroseverit”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, anëtar i këtij komisioni, Armend Muja pyeti për kompaninë energjetike GEN.

“Çfarë kompanie ka qenë GEN-i, duke qenë se ju e keni rilicencuar në vitin 2016 dhe prapë. GEN çfarë kompanie është, kompani sllovene”, tha Muja.

Lidhur me këtë çështje, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, tha se GEN është kompani sllovene e cila ka qenë e licencuar për tregtim të energjisë në Kosovë që dhjetë vite. Ai shtoi se në të gjitha dokumentet e rilicencimit të tij është regjistruar si dega në Tiranë GEN.

“Ky ka qenë i licencuar për tregtim me shumicë për më shumë se dhjetë vjet. Edhe gjatë këtij viti, meqenëse gjatë procesit të rilicencimit të gjitha dokumentet në ZRrE janë që është e regjistruar si dega në Tiranë GEN… Sa për informatën e juaj, pjesëmarrja gjatë vitit 2021 është e neglizhuar e GEN në raport me tregtimin import-eksport të energjisë elektrike nëse krahasojmë me kompanitë e tjera sllovene që mbulojnë 60-70 për qind të importit”, pohoi Fejzullahu, raporton KP.

Para deputetëve, Fejzullahu paraqiti edhe raportin e punës për vitin 2021.

Komisioni në mbledhjen e sotme miratoi edhe raportin me rekomandime për Projektligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe Projektligjin për turizmin.

/GazetaSinjali/