image Pas KGJK-së e KPK-së, Kurti i sulet edhe Gjykatës Themelore të Prishtinës

Politikë

Pas KGJK-së e KPK-së, Kurti i sulet edhe Gjykatës Themelore të Prishtinës

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka disa ditë që është duke u konfrontuar me sistemin e drejtësisë në vend, gjyqtarët e prokurorët. Gjithçka ka filluar pas rastit të 11 vjeçares e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona për orë të tëra. Kurti ka adresuar kritika në drejtim të Këshillit Gjyqsor dhe Këshillit Prokurorial, derisa ka marrë edhe kundërpërgjigje lidhur me rastin në fjalë.

Por, kreu i Qeverisë sot në mënyrë specifike i ka reaguar edhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke i akuzuar se s’po e trajtojnë një lëndë të Lëvizjes Vetëvendosje që ka të bëjë me një pronë publike në Prishtinë.

Kurti thotë se për kërkesa e asamblistëve të VV-së për masën e sigurisë për këtë rast s’ka marrë përgjigje as pas një muaji, derisa thotë se ankesa e PDK-së për tarifat e energjisë elektrike kishte marrë përgjigje për 3 ditë.

Në fund të reagimit të tij, Kurti ka pyetur se kush vendos për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve, s’i ndahen lëndët dhe kush vendos për pavarësinë e gjyqësorit.

Reagimi i plotë:

 Kuptimi i urgjencës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës

Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asamblistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë.

Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë.

Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike.

Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh.

Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?

Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve?

Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?

/GazetaSinjali/