Kryetarët e komunave i përkrahin masat e reja antiCOVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës dhe duke filluar nga nesër asnjë zyrtar komunal i pa vaksinuar dhe që nuk e posedon testin PCR nuk do të mund të ketë qasje në institucionet komunale.
Kështu ka deklaruar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi tha se në këtë takim janë diskutuar masat e fundit të Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19, të cilat hyjnë në fuqi nga nesër e që janë mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, mbyllja e çerdheve, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete. Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.
Kreu i AKK-së ka thënë se nga sot ka filluar procesi i vaksinimit pas interesimit të madh të qytetarëve. Ai ndërkaq ka bërë të ditur se në takimin që kishin me ministrin Vitia u diskutua edhe për personat që janë të vaksinuar të qasen më lehtë në institucione se sa ata që nuk janë të vaksinuar.
“Pas kërkesës së Asociacionit të Komunave të Kosovës që nga kjo e diele ka filluar procesi i vaksinimit kjo ka qenë një bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë ku të gjithë kryetarët e komunave për shkak se interesimi i qytetarëve është rritur gjatë javëve të fundit dhe kjo ka qenë kërkesë që sa më shumë qytetarë të Republikës së Kosovës të vaksinohen, d.m.th nga kjo e diele kanë filluar të vaksinohen. Kërkesë tjetër në takimin e ministrin ka qenë që personat e imunizuar të kenë qasje më të lehtë në institucione se sa personat të cilët nuk janë vaksinuar do të thotë të kenë një lloj lehtësimi sa i përket marrjes së shërbimeve, mirëpo kanë kërkuar që sa më shpejt gastronomisë t’i lejohet të puna edhe brenda lokaleve, sepse kjo ka ndikim në zhvillimin ekonomik lokal. Ministri Vitia na ka premtuar që kjo do të diskutohet me neve në javët në vijim,” tha Ibrahimi për KP.
Po ashtu Ibrahimi vlerëson edhe se kryetarët e komunave i përkrahin masat e reja, pasi që ato për prioritet e kanë jetën e qytetarit.
“Kryetarët e komunave gjithmonë si prioritet e kanë jetën e qytetarit, shëndetin publik dhe në asnjë rast nuk kanë interferuar sa i përket procesit të rekomandimeve, të cilat kanë ardhur nga institucionet përkatëse shëndetësore dhe për këtë arsye kur është në pyetje jeta e qytetarit kryetarët e komunave i përkrahin masat e reja vetëm e vetëm të shpëtohet jeta e qytetarit të Republikës së Kosovës. Është e vlerësuar që numri i të të infektuarve është në rënie e sipër mirëpo gjithashtu numri me fatalitet nuk është duke rënë ashtu siç kemi dëshirë. Shpresojmë pas këtyre masave numri i të të infektuarve të bie, por me rëndësi është që të bie numri i të vdekurve,” ka thënë Ibrahimi.
Duke marrë parasysh rastet e reja me COVID-19 e që ndër to po preken edhe fëmijë nga 0 deri 9 dhe nga 9 deri në 16 e arsyeshme është parë që mësimi të shtyhet edhe për dy javë, ka potencuar Ibrahimi.
“Duke marrë parasysh që fëmijët e moshave të reja nga 0 deri 9 dhe nga 9 deri në 16 janë duke i infektuar, numri i të të infektuarve në këto mosha ka pas një rritje është konstatuar që më mirë procesi mësimorë të shtyhet për të gjitha institucionet para universitare deri më 26 shtator dhe pastaj në ndërkohë nëse kemi përmirësime dhe shpresojmë dhe besojmë se do të kemi përmirësime sa i përket pandemisë COVID-19, jo vetëm për shkak të masave, por ne besojmë se piku i numrit të të infektuarve është rritur më herët dhe ne besojmë se numri i të të infektuarve do të bie dhe nëse në bazë të vlerësimeve që bëhen nga institucionet përkatëse do të takohemi së bashku, do të marrim konkluzione të cilat do të jenë në të mirën qytetarit,” tha Ibrahimi.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga nesër asnjë zyrtarë komunal që nuk është i vaksinuar dhe që nuk e ka testin PCR nuk do të mund të qaset në institucionet komunale.
“Të gjithë kryetarët dhe drejtorët komunalë që ishin prezent në këtë takimin e fundit me ministrin Vitia janë zotuar që gjithçka që janë dakorduar në zbatimin e masave do të dakordohet nga niveli lokal dhe neve jemi të bindur që nga nesër asnjë zyrtarë komunal që nuk i ka, nuk është i vaksinuar apo imunizuar nuk e ka testin PCR apo testin seriologjik apo siç është përshkruar në rekomandimet që vijnë nga niveli qendrorë nuk do të mund të ketë qasje në institucionet komunale, ky është vendim qeveritar të cilët kryetarët e komunave e zbatojnë dhe gjithashtu duke e marrë parasysh situatën me pandeminë COVID çdo vendim i cili drejton qytetarin në përmirësimin e situatës që do të respektohet nga niveli lokal,” ka deklaruar Ibrahimi.
Ndryshe, masat e reja antiCOVID-19 nga Qeveria e Kosovës vijnë pas vlerësimit të ri të situatës me pandeminë koronavirus në vend, ku ditëve të fundit është shtuar numri i rasteve me fatalitet.
Në institucionet publike dhe private, deri me datë 26 shtator, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial obligohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.
Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13-26 shtator.
Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, ose test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Po ashtu në vendim theksohet se bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies apo pijes.
Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur.