image Kërkohet paraburgim për pronarin që përmes mashtrimit përfitoi afër 5 mijë euro nga shtesat e pandemisë

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për pronarin që përmes mashtrimit përfitoi afër 5 mijë euro nga shtesat e pandemisë

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi pasi dyshohet se ka mashtruar duke përfituar afër 5 mijë euro nga pakoja Emergjente për COVID-19.

J.U dyshohet se ka kryer veprës penale “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari ka deklaruar në ATK se i ka 19 punëtorë dhe si rrjedhojë për dy muaj ka përfituar nga 130 euro për muaj për 19 punëtorët e regjistruar. Në total, ai ka marrë 4,940 euro nga pakoja Fiskale Emergjente për COVID-19.

Prokuroria ka njoftuar se ai ka përpiluar dokumente të falsifikuara, konkretisht kontrata pune pa autorizim dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, e kjo me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Ferizaj:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas një hetimi disa mujor nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin J.U., nga komuna Ferizaj, në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Mashtrimi me subvencione’ nga neni 324 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri J.U., gjatë muajit mars dhe prill 2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, i njëjti kishte lidhur disa kontrata pune, gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) duke deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) se ka nëntëmbëdhjetë (19) punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1) muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4,940.00€.

Po ashtu, i dyshuari J.U., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, konkretisht kontrata pune pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin nuk e kishte të regjistruar në ATK dhe nuk i’u kishte paguar kontributet personale, por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorëve. Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

/GazetaSinjali/