image Zyrtarët në New York ndryshuan numrin e vdekjeve në azile

Botë

Zyrtarët në New York ndryshuan numrin e vdekjeve në azile

news image

Zyrtarë të Departamentit të Shëndetësisë në varësi të Guvernatorit Andrew Cuomo konfirmuan njoftimet e së enjtes në mbrëmje se anëtarët e një grupi pune mbi COVID-19, kishin ndryshuar një raport të shtetit të New Yorkut mbi shtëpitë e të moshuarve, duke mos pasqyruar numrin e plotë të banorëve që kishin humbur jetën nga koronavirusi. Por zyrtarët këmbëngulën që ndryshimet ishin bërë për shkak të shqetësimeve në lidhje me saktësinë e të dhënave.

Duke cituar dokumente dhe persona në dijeni të diskutimeve brenda administratës, gazetat “Wall Street Journal” dhe “New York Times”, shkruanin se ndihmësit, përfshirë sekretaren e guvernatorit, Melissa DeRosa kishin shtyrë zyrtarët e shëndetësisë së shtetit të New Yorkut të ndryshonin raportin e muajit korrik, duke përfshirë vetëm ata banorë që kishin vdekur brenda objekteve të kujdesit afatgjatë shëndetësor dhe jo ata që ishin sëmurë aty, por që kishin vdekur më pas nëpër spitale.

Kjo është goditja më e fundit ndaj Guvernatorit Cuomo, i cili është rrethuar nga dy skandale, një që përfshin trajtimin nga ana e tij të vdekjeve në shtëpitë e të moshuarve dhe akuzat për ngacmime seksuale nga dy ish-ndihmëse të tij dhe një grua, të cilën ai e kishte takuar gjatë një ceremonie martesore.

Cuomo kërkoi falje të mërkurën që kishte vepruar siç tha “në një mënyrë që i kishte bërë të tjerët të viheshin në siklet”, por refuzoi thirrjet për dorëheqje.

Ai tha se do të bashkëpunonte plotësisht me hetimin e nisur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit mbi akuzat për ngacmim seksual. Ndërkohë hetuesit federalë po shqyrtojnë me kujdes mënyrën se si administrata e tij ka trajtuar të dhënat mbi shtëpitë e të moshuarve.

Disa nga demokratët kryesorë të këtij shteti kanë thënë se po presin përfundimin e hetimeve përpara se të dalin në një përfundim në lidhje me sjelljen e Cuomo. Por pas artikujve të së enjtes në mbrëmje, disa ligjvënës të shtetit ripërsëritën thirrjet që guvernatori të dorëhiqet ose të shkarkohet.

“Cuomo fshehu shifrat. Të nisin procedurat për shkarkimin e tij”, shkruante anëtari i Asamblesë së lagjes Kuins të New Yorkut, Ron Kim.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të premten se pretendimet se ndihmësit e zotit Cuomo kishin manipuluar raportimin publik mbi numrin e vdekjeve në shtëpitë e pleqve ishin “shqetësuese”. Ajo tha se Shtëpia e Bardhë “do të mbështeste çdo hetim të pavarur” mbi këtë çështje. /Gazeta Sinjali/