image Zyrtare: Zoran Milanoviq, presidenti i ri i Kroacisë

Rajoni/ Zyrtare: Zoran Milanoviq, presidenti i ri i Kroacisë

news image

Presidenti i ri i Kroacisë është ish-kryeministri Zoran Milanoviq i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP), tregojnë rezultatet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor pas pothuajse të gjitha vendvotimeve të proceduara.

Ai mposhti presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Sipas KSHZ-së, mbi bazën e 99.54 për qind të vendvotimeve të numëruara, Milanoviq fitoi 52.69 për qind ose rreth 1,030,000 vota, dhe Grabar-Kitaroviq 47,31 për qind ose rreth 926,000.

Kandidati i SDP mposhti kandidaten e HDZ në qytetet e mëdha kroate – Zagreb, Split, Rjekë dhe Osjek.

Në zgjedhje votuan 54.97 për qind e gjithsej 3.9 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Presidenti i ri i Kroacisë u lind në Zagreb në vitin 1966 ku u diplomua në juridik. Ai punoi në Ministrinë e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane në vitet 1990, dhe pas vdekjes së Ivica Raçan në 2007, ai u zgjodh president i SDP, partia kryesore e qendrës së majtë të Kroacisë.

Ai drejtoi qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë nga fundi i 2011 deri në fillim të vitit 2016. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare kur ai nuk arriti të formojë një qeveri, dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe iu përkushtua biznesit privat.

Milanoviq bëri fushatë nën sloganin “Normalisht, një president me karakter”, duke theksuar se do të luftonte padrejtësinë, dhunën, korrupsionin, do të mbronte të drejtat e njeriut dhe do të mbronte barazinë e të gjithë qytetarëve.

Ai do të marrë presidencën më 18 shkurt. /Gazeta Sinjali/