image Zv/ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti ka aktakuzë për 'kanosje'

Drejtësi

Zv/ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti ka aktakuzë për ‘kanosje’

news image

Yildiray Bayram i emëruar ditë më parë si zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti, të udhëhequr nga Agim Veliu, ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për veprën penale ‘Kanosje’, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se Yildiray Bayram, gjatë kohës sa ishte zyrtar i Doganës së Kosovës, ka kërcënuar me armë zjarri Nusret Azemin dhe Bujar Xhakaliun, punëtorë të një parkingu.

Azemi dhe Xhakaliu pretendojnë se Bayram ishte i dehur në momentin kur kanosi ata me armë zjarri.

Nusret Azemi duke rrëfyer ngjarjen për Gazetën Sinjali ka thënë se ajo kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2018, pas përfundimit të ndejës së fundvitit e cila ishte organizuar për stafin e Doganës. Sipas Azemit, Bayram kishte shkuar në parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku kishte nisur fjalosja mes tyre.

“I gjithë konflikti ka filluar pasi që Yildiray Bayram, që në atë kohë ka qenë zyrtar doganor ka ardhur në parkingun ku unë punoj si biletëshitës. Atë natë ka qenë një ndjenjë e doganierëve dhe në parking ka pasur shumë tollovi. Ora ka qenë një pas mesnatës. Meqë kishte shumë vetura, e kisha të pamundur që t’i pranoj të gjitha të kalojnë. Ish-doganieri më preku me veturë dhe më pas doli jashtë. Më kërkoi që t’i heq veturat e tjera dhe të ia lirojë rrugën për të kaluar. Por e kisha të pamundur për shkak se kishte mbi 150 vetura që kërkonin t’u lirohej rruga. Në atë moment, meqë ishte edhe i dehur, nxori revolen dhe ma drejtoi. Me mua ishte edhe kolegu Bujar Xhakaliu. Të dyve na kërcënoi me armë”, ka thënë Azemi për Gazetën Sinjali.

Më tej, ai shtoi se në atë moment kishte ardhur një nga kolegët e ish-doganierit dhe ia kishte larguar revolën.

“Për fat të mirë erdhi një koleg i tij dhe na shpëtoi jetën”, është shprehur tutje Azemi.

Nusret Azemi dhe Bujar Xhakaliu pretentojnë se Yildiray Bayram dhe prokurorja e rastit, Merita Lumezi, kanë kërkuar që përmes të hollave të mbyllet rasti.

Bayram, pas këtij incidenti, është suspenduar nga pozita e doganierit, ndërsa pak ditë më parë është emëruar në postin e zv/ministrit në MPB, anise ndaj tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale ‘Kanosje’.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet Y.B., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Gazetën Sinjali.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me zv/ministrin Bayram, por i njëjti ka qenë i paqasshëm./Gazeta Sinjali/