image ZRrE refuzon të kompensojë qytetarët për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës

Sociale

ZRrE refuzon të kompensojë qytetarët për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës

news image

Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) ka vendosur që të mos i kompensojë qytetarët e Kosovës për faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës gjatë periudhës 2012-2017.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për aprovimin e kërkesë/padisë së Avokatit të Popullit për kompensimin e mbi 40 milionë eurove për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Kosovës, ZRRE-ja ka vendosur të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) ka vendosur që në përputhje me ligjet në fuqi, vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për kthimin e humbjeve të veriut, do ta apelojë në instanca më të larta gjyqësore”, thuhet në një përgjigje për KosovaPress.

Në anën tjetër, zyrtarë të Institucionit të Avokatit të Popullit thonë se ky apelim nga ZRRE-ja në shkallën e dytë ka qenë e pritshme, derisa kanë theksuar se Avokati i Popullit ka kryer dhe vepruar konform mandatit të tij sa i përket mbrojtjes së interesit të qytetarëve për këtë çështje.

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike në Institucionin e Avokatit të Popullit, Suzana Gashi ka thënë për KosovaPress, nuk dëshirojnë të paragjykojnë për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi nëse bëhet i plotfuqishëm.

Është një vendim i shkallës së parë, është e pritshme që ZRRE-ja si palë në këtë proces mundet me ushtruar ankesë dhe neve na mbetet me pritur vendimin e shkallës së dytë nëse hynë fuqi apo e ri-kthen në ri-gjykim krejt çështjen. Institucioni i Avokatit të Popullit deri këtu e ka kryer mandatin e tij sa i përket mbrojtjes së interesit publik…Nuk po paragjykojmë, por duhet të presim që ky vendim të bëhet fillimisht i plotfuqishëm, e pastaj vet ZRRE të gjej metodat se si do t’i caktoj eventualisht tarifat e reja për t’u kompensuar qytetarët që janë faturuar në mënyrë të kundërligjshme”, thotë ajo.

Ndërsa, kryetari i komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala thotë se, vendimi i Themelores që ka qenë i pritshëm për njohjen e të drejtës së konsumatorëve shqiptarë, është në përgjegjësinë e ZRRE-së, por konsideron se mënyra e implementimit dhe zbatimit të vendimit është i komplikuar.

Mënyra e implementimit dhe zbatimit të vendimit nuk është problem në kuptimin faktik financiar sa është i komplikuar në kuptimin faktik operacional në terren, sepse ka implikime direkt në zonat e caktuara të territorit të vendit ku Zyra e Rregullatorit e ka paraparë me kohë që është në një farë forme e pa implementushme shtrirja e autoritetit të saj ose rregullatorit, dhe në këtë rast ka autorizuar një mekanizëm tjetër dhe pikërisht këtu kemi dilemat, kemi shkëputjen edhe juridike se kush dhe sa duhet të shtrihet autoriteti. Kështu konsideroj që ne para se ta trajtojmë nga këndi financiar, duhet ta trajtojmë nga këndi real faktik i shtrirjes së sovranitetit dhe integritetit të Rregullatorit në gjithë territorin e Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa, edhe shoqëria civile po konsideron se kurdo që të bëhet i plotfuqishëm ky vendim, do të jetë i vështirë i realizueshëm.

Hulumtuesi i lartë në Institutin INDEP, Dardan Abazi thekson për KosovaPress, se pavarësisht vështirësisë së zbatimit të kësaj të drejte, konsideron që vendimi fillimisht është i rëndësishëm, sepse siç thotë ai e njeh shkeljen që është bërë ndaj qytetarëve dhe trajtimin jo të barabartë për konsumin e energjisë elektrike.

Është vështirë për të implementuar, është energji që është harxhuar dhe e cila në sistem duhet paguar dikush. Në qoftë se për një kohë të caktuar e kemi paguar ne, menjëherë pas vendimit të gjykatës, atë pjesë e ka paguar qeveria e Kosovës. Pra, një herë Qeveria Hardinaj me pagesa direkte, pastaj Qeveria Kurti përmes KOSTT-it. Si do që të jetë këto janë vetëm modalitete të një të vërtete të pamohueshme, të cilën ne prapë se prapë e paguam, qoftë përmes faturave si qytetarë ose përmes buxhetit si hisedarë të gjithë që jemi në atë buxhet”.

Në këtë kuptim, edhe zbatimi i këtij urdhri të Gjykatës Themelore do të jetë i vështirë. Kush duhet ta mbulojë këtë vakum? Nëse KEDS-i na i kthen neve këto para, atëherë prapë kur të bëhet rishikimi i tarifave për mbulimin e kësaj kosto të kthimit të qytetarëve për pjesën e energjisë që është harxhuar në një pjesë tjetër të Kosovës. Kështu që kjo do të reflektoj qoftë në ulje të investimeve, qoftë në shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike. Prapë se parapë, në një formë ose tjetër kjo kosto do ta na vjen neve si qytetarë, sepse nuk e kemi të drejtën ligjore që në mënyrë kolektive ta shkyçim veriun nga energjia elektrike”, tha ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Republikës së Kosovës.

I njëjti aktgjykim e obligon ZRrE-në që të ndërmarr veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.

Ndërsa, ZRRE-ja si palë në këtë proces ka pasur të drejtën e ushtrimit të ankesës brenda 15 ditësh që kur është publikuar aktvendimi. /GazetaSinjali/