image Zotimet politike kundër monopolit të Devollëve, sa për “sy e faqe”

Politikë

Fushatë/ Zotimet politike kundër monopolit të Devollëve, sa për “sy e faqe”

news image

Partitë politike PDK, LDK, VV dhe AAK, premtojnë në fushatë se qeveria e re e udhëhequr nga cilado prej tyre, do ta luftojë monopolin.

Këto premtime po jepen përkundër se gjatë qeverisjes së PAN (PDK, AAK, Nisma), u përkrah monopoli me favorizime shtesë për kompaninë “Eurolab” të Devollëve.

Gazeta Sinjali ka marr qëndrimin e partive rreth kësaj çështjeje që e ka dëmtuar Kosovën duke favorizuar veprimet e dëmshme, të dyshimta, korruptive dhe kriminale në kurriz të qytetarëve.

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, thekson se partia të cilën e përfaqëson është kundër monopolit dhe luftimi i kësaj dukurie është në programin e tyre qeverisës.

“Ne e kemi shpreh qëndrimin tonë të qartë edhe në seancën e parlamentit të Kosovës për heqjen e monopolit, prandaj PDK ka qëndrim të qartë që nuk do të lejojmë monopol në këtë çështje. Siç është çështja e homologimit as në çështjet e tjera çfarëdo që jenë ato. Do të vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet që të mos ketë monopol në këtë çështje”, tha Tahiri për Gazetën Sinjali.

Sipas Lumir Abdixhikut, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka në program luftën kundër monopolit, i cili premton se monopolet do të zhbëhen.

“Po e kemi në program. Të gjitha monopolet do të zhbëhen”, tha shkurt Abdixhiku për Gazetën Sinjali.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje,  e cila nuk është sprovuar ende në pushtetin qendror, homologimin e veturave e quan plaçkë ndaj qytetarëve.

“Në program e kemi parapa eliminimin e të gjitha monopoleve zhvatëse, e këtu përfshihet edhe homologimi. Kjo plaçkë ndaj qytetarëve do të ndalet, sepse nuk ofron asnjë vlerë të shtuar për ta”, tha kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Hekuran Murati për Gazetën Sinjali.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nga radhët e AAK-së, ndonëse ishte kujdesur që t’ia shtrijë rrënjët edhe më shumë në monopol kompanisë “Eurolab”, tani në kohë fushate, zyrtarë të kësaj partie deklarohen kundër monopolit.

 “Ne jemi kundër homologimit dhe duhet me u hap tregu edhe për kompanitë e tjera. Ne jemi kundër monopolit, duhet me u hap tender, me apliku kompani të brendshme dhe të jashtme, ata që i plotësojnë kushtet për me u marrë me këtë veprimtari duhet me marrë licencën, lejen edhe me operu në tregun e Kosovës”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj për Gazetën Sinjali.

Zyrtarët e partisë Nisma Socialdemokrate nuk kanë qenë të qasshëm për të biseduar rreth kësaj teme.

Rikujtojmë se homologimi i veturave të cilin e kryen vetëm kompania “Eurolab”, në pronësi të vëllëzërve Devolli, është kundërshtuar ashpër nga Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt. /Gazeta Sinjali/