Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, Liridon Zogjani e ka dhënë versionin e tij për denoncimin e djeshëm në Polici që ia bëri ish-deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës, me pretendimin se ai e ka kërcënuar.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Zogjani ka thënë se Beqa përmes kërcënimit ka dashur ta pengojë hetimin të cilin ai e kishte nisur për auditimin e disa sektorëve brenda ndërmarrjes, në mesin e të cilëve edhe atë të burimeve njerëzore, sektor ku menaxhere është gruaja ish-deputetit të PDK-së, Qëndresa Veliu-Beqa.
“Unë kam pasë një telefonatë prej tij fillimisht, ku më ka kërcënu dhe më ka thënë se në rast se merresh me mua dhe familjen time – duke aludu në bashkëshorten e tij e cila është menaxhere e burimeve njerëzore – do të kesh probleme private me mua. Telefonata ka ndodhë dje pasi i kam nis procedurat ligjore dhe ankesën ia kam drejtu ministres së re të Zhvillimit Ekonomik, Rozeta Hajdarit”, ka thënë Zogjani.
Shkarkimin e tij nga pozita e kryesusesit të Komisionit të Auditimit në bordin e drejtorëve të “Ibër-Lepencit”, Zogjani e konsideron tentim për ta penguar hetimin të cilin ka kërkuar të zhvillohet brenda ndërmarrjes.
“Është rast pak i komplikuar. Unë kam qenë kryesues i Komisionit të Auditimit në bordin e drejtorëve. Pas një kërkese që e kam bë për auditim të disa sektorëve të ndishëm brenda ndërmarrjes, duke përfshirë prokurimin, burimet njerëzore, etj., ka ardhë një vendim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që më shkarkojnë mua dhe e emërojnë dikë tjetër në pozitën ku isha unë. Vendimi dyshoj se është marrë një ditë pas votimit të qeverisë së re, por vendimi është bërë me datë të së premtës, 31 janar. E kanë shfrytëzu këtë hapësirë kohore me qëllim që ta pengojnë hetimin që e kam kërku me u zhvillu brenda ndërmarrjes”, ka thënë Zogjani.
Ai beson se në këtë ndërmarrje “ka pasë shkelje, përderisa janë mundu në të gjitha format dhe në mënyrë institucionale më kanë degradu”.
“Në momentin kur e kam bërë kërkesën për me u zhvillu hetimet, ka pasu shkarkimi im. Vendimi ka ardhë prej ministrit, ministrit të vjetër, Valdrin Llukës, sepse veç ai ka të drejtë”, ka thënë Zogjani.
Dyshimet se ai dhe ish-deputeti i PDK-së Hajdar Beqa e gruaja e tij, Qëndresa Veliu – Beqa kanë pasur mosmarrëveshje paraprakish, Zogjani i ka mohuar, duke thënë se nuk ka pasur kurrfarë raporte me të, e se gruan e Beqës nuk e njeh as fizikisht.
“S’kam pasë kurrëfarë raporte me Hajdar Beqën, asnjëherë. Gruan e tij as s’e njoh as fizikisht, për shkak se në aspektin hierarkik pozita ime është shumë më e lartë dhe nuk e lejon edhe ligji me kontaktu”, ka thënë Zogiani.
Beqa e Zogjani, sipas këtij të fundit kanë shkëmbyer “mesazhe të rënda”, dhe pas kërcënimeve, është paraqitur rasti në Polici.
“Kemi shkëmby mesazhe. Mesazhe të rënda, për shkak edhe të gjendjes emocionale në atë moment, por automatikisht iu kam drejtu Policisë, e kam denoncu rastin. Kam kërku drejtësi, nuk kam dashur t’i qëroj hesapet privatisht”, ka thënë drejtori i bordit të “Ibër Lepencit”.
Këto mesazhe, Zogjani nuk ka pranuar t’i bëjë publike, me arsyetimin se ato e prishin hetimin dhe ndikojnë negativisht në të.
Ai ka për bisedat dhe SMS-ët me përmbajtje kërcënuese të Beqës i ka kërkuar prokurorit që hetimi “mos me u pengu prej këtyre grupeve kriminale”.
Pas raportimit për këtë denoncim, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ish-deputetin e PDK-së, Hajdar Beqën, i cili është shprehur i painformaur për këtë çështje dhe ka thënë se nuk e njeh denoncuesin, drejtorin e bordit të “Ibër Lepencit”, Liridon Zogjanin.
“Me pasë diçka unë, m’kish thirrë dikush”, ka thënë Beqa. /Gazeta Sinjali/