Zjarri ka kapluar pyjet e Komunës së Skënderajt, shkruan Gazeta Sinjali.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit, këta të fundit janë duke u munduar të shuajnë zjarrin.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, i cili tha se zjarri është ndezur nga qytetarë të pandërgjegjshëm.
“Tash e sa ditë komuna jonë po përballet me djegie të pyjeve që fatkeqësisht po shkaktohen nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Ekipet tona të zjarrfikësve me orë të tëra të rrezikuar po punojnë në shuarjen e zjarreve”, ka shkruar ai.
I pari i Skënderajt ka kërkuar nga Policia e Kosovës ndërmarrjen e hapave konkretë deri në identifikimin dhe dënimin e tyre për këto vepra “të shëmtuara kundër natyrës”.
“Marrë parasysh këtë gjendje kam kërkuar nga Stacioni Policor në Skenderaj që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që autorët të marrin dënimin e merituar mirëpo për arsye ende të panjohura nuk kam marrë asnjë informatë në lidhje me identifikimin a po dënimin e personave që po djegin malet tona. Situata është serioze, dëmet janë të mëdha andaj kërkoj edhe nga niveli qendror i Policisë së Kosovës që të ndërmarrin hapa konkret në identifikimin dhe dënimin e autorëve të këtyre veprave qyqare kundër natyrës sonë”, ka shkruar Jashari në Facebook. /Gazeta Sinjali/