Mbrëmë, pak para mesnatës, një shtëpi në rrugën “Muharrem Hoxha” të Prizrenit është përfshirë nga flakët. Zjarri dyshohet të ketë shpërthyer te ora e rrymës, por ende nuk dihet shkaktari, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informatave të para, persona të lënduar nuk ka, por vetëm dëme materiale. Posa Zjarrfikësit dhe Policia kanë marrë informacionin, kanë intervenuar dhe zjarri është lokalizuar, teksa është njoftuar edhe KEDS-i.
Përveç tyre, Sinjali mëson se së shpejti pritet të dalin në vendin e ngjarjes edhe ekspertët, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si erdhi deri te zjarri.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo që dihet deri më tani është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.