Sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, ka reaguar pas deklaratave kritike të ish-futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala, duke mbrojtur rrugëtimin dhe suksesin e tij në futboll.
Lala kishte deklaruar në një intervistë për një podcast sportiv se Zhegrova do të kishte më shumë hapësirë në fushë nëse do të ishte më i fokusuar te futbolli, duke përmendur edhe interesimin e tij për vetura dhe aksesorë luksozë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhegrova iu përgjigj këtyre komenteve, duke theksuar se arritjet e tij janë rezultat i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme.
“Disa njerëz jetojnë duke komentuar jetën e të tjerëve. Unë preferoj ta jetoj timen. Suksesi nuk matet nga mendimet e atyre që flasin në studio, por nga puna që bëj çdo ditë”, shkroi futbollisti kosovar.
Zhegrova kujtoi edhe rrugëtimin e tij nga Prishtina drejt niveleve më të larta të futbollit evropian, duke theksuar krenarinë për origjinën e tij.
“Jam këtu falë punës dhe sakrificës nga Prishtina, Kosova ime. Gjithmonë krenar”, u shpreh ai.
Reagimi i sulmuesit ka nxitur diskutime te tifozët, ndërsa Zhegrova vazhdon përgatitjet për sezonin e ri me Juventusin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!