Forcat ajrore të Kilit njoftuan se e kanë humbur kontaktin me një aeroplan në të cilin ndodheshin 38 persona. Aeroplani i zhdukur ishte nisur drejt bazës së Kilit në Antarktik.
Një njoftimin e forcave ajrore thuhet se autoritetet e kanë shpallur alarmin dhe i kanë aktivizuar ekipet e kërkim-shpëtimit pas humbjes së kontaktit me aeroplanin në mbrëmjen e së hënës.
Në aeroplanin e tipit “Hercules C-130” ndodheshin 21 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit. Ata e kishin nisur këtë udhëtim për ta kontrolluar një rrjet karburantesh në bazën e Kilit në Antarktik.
Aeroplani i zhdukur ishte nisur nga Kili në orën 5 të pasdites sipas kohës lokale, ndërsa kontakti me të u humb në orën 6 e 13 minuta. Sipas njoftimit të forcave ajrore, moti ishte i mirë në kohën kur kontakti me aeroplanin u humb./Gazeta Sinjali/