image Zgjedhjet në Turqi, Erdogan në aleancë me një parti radikale

Botë

Zgjedhjet në Turqi, Erdogan në aleancë me një parti radikale

news image

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka formuar aleancë elektorale me partinë radikale islamiste ‘Huda Par’, për të konsoliduar bazën e tij kurde. Por aleanca ka shkaktuar debate, pasi partia Huda është akuzuar në të kaluarën për lidhje me dhunën politike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Diyarbakiri, qyteti kryesor turk me shumicë kurde.

Drejtuesit e Partisë AKP në Dijarbakir mburren në një tubim me votuesit për suksesin e arritjes së paqes. Jo shumë kohë më parë, zemra e qytetit ishte një fushë beteje mes forcave turke dhe grupit seperatist kurd PKK. Por tani qyteti është rindërtuar dhe po tërheq turistë. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Serif Aydin, drejtues i Partisë AKP në Dijarbakir.

“Pritshmëria e parë në Dijarbakir është paqja. Paqja është fjala magjike dhe ata duan që paqja të vazhdojë. Këto vende kanë vuajtur shumë. Por ka pesë vjet që në Dijarbakir ka paqe dhe të gjithë e vlerësojnë këtë.”

Lufta e qeverisë kundër terrorizmit solli rrëzimin e shumë kryebashkiakëve të zgjedhur të qytetit, që i përkisnin partisë kryesore pro-kurde, përfshirë kryetarin e bashkisë së Dijarbakirit.

Analistët thonë se reagimi ndaj tërmeteve të shkurtit dhe krizës ekonomike po dëmton shanset e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për t’u rizgjedhur.

Vahap Coskun, analist politik në DISA, një institut kërkimor politik në Dijarbakir, thotë për Zërin e Amerikëse se ka rënë mbështetja kurde për zotin Erdogan.

“Kemi një krizë të rëndë ekonomike dhe një rënie të jashtëzakonshme të demokracisë. Të drejtat dhe liritë themelore po kufizohen. Partia AKP ka mbyllur dritaren e demokracisë për çështjen kurde. Për shkak të këtyre faktorëve, mbështetja kurde për AKP-në ka rënë.”

Në përpjekje për të konsoliduar bazën e tij fetare konservatore, zoti Erdogan bëri një aleancë elektorale me partinë islamike kurde ‘Huda Par’. Por aleanca është e debatueshme, ((end credit)) pasi anëtarët e kësaj partie dyshohen për lidhje të hershme me grupin Hezbollah të nxjerrë jashtë ligjit. Grupi Hezbollah në vitet 1990 vrau dhjetëra njerëz, shumë prej të cilëve vdiqën në dhomat e torturave gjatë luftës me grupin separatist kurd PKK.

“Huda Par nuk është përmbajtur, duke bërë deklarata në mbështetje të grupit Hezbollah. Kjo është arsyeja kryesore e reagimeve. Huda Par është një parti kurde dhe siç tregon edhe emri, ajo ushtron veprimtarinë e saj si parti kurde. Por banorët këtu thonë se ka pasur gisht në masakra të rënda në të kaluarën”, thotë Arjin Dilek Oncel, kryeredaktore e agjencisë së lajmeve Mezopotamya Ajansı.

Partia ‘Huda Par’ i hedh poshtë akuzat, duke këmbëngulur se është një parti e paqes dhe se kritikat ndaj saj janë të gabuara.

“Do të ishte më e drejtë të flitej për çështjet e sotme, jo për problemet e 30 viteve më parë. Pesë, gjashtë vjet më parë shpërthyen bomba në disa zona në Dijarbakir dhe dhjetëra njerëz humbën jetën. Kush i vuri ato? PKK ishte përgjegjëse. A i dorëzoi armët PKK-ja? Jo”, thotë Seyhmus Tanrikulu, me komitetin kombëtar të partisë Huda Par.

Aleanca e zotit Erdogan me partinë Huda Par po rezulton përçarëse, ndërsa vëzhguesit paralajmërojnë se aleanca mund të largojë më shumë votues sesa të tërheqë dhe të thellojë më tej ndarjet në zgjedhjet tashmë tejet të polarizuara./VOA

/GazetaSinjali/