Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur pas situatës së krijuar me pandeminë në vend.
Kurti përmes konferencës ka bërë të ditur se orari i policëve është zgjatur për 12 orë si dhe do të gjashtëfishohet stafi i inspektorëve, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ne do të bëjmë gjashtëfishimin e inspektorëve të AUV-it, atyre 17 sa janë do t’ia shtojmë edhe 85 të tjerë. Merreni me mend, e kemi AUV-in, siç e kemi gjetur me 17 inspektorë gjithsej, që i bie as gjysmë inspektori për komunë. Orari i punës së policisë bëhet tash e tutje me ndërrime 12 orëshe, në vend të 8-orëshe”, ka thënë ai.
Gjatë kësaj konference Kurti, gjithashtu ka njoftuar se do të shqiptohet gjobë për këdo që shkel masat, të cilat janë paracaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
”Natyra e përhapjes së këtij virusi në këtë variant është eksplozive. Dje morëm një vendim për disa masa kufizuese, megjithatë është brengosëse shkalla e respektimit të tyre”, tha Kurti.
“Andaj në vijim do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat. Dhe inspektorët do të shtojmë për mbikëqyrje”, theksoi ai.
“Për t’i zbatuar masat me sukses, për ta pasur shtetin në nivel të detyrës, do ta gjashtëfishojmë stafin e inspektorëve”, shtoi kryeministri. /GazetaSinjali/