image Zeqiri përpara betimit si kryetar: Kemi një ekip që do ta zbatojë ligjin dhe do të punojë në interesin e gjithë qytetarëve

Politikë

Zeqiri përpara betimit si kryetar: Kemi një ekip që do ta zbatojë ligjin dhe do të punojë në interesin e gjithë qytetarëve

news image

Në veri të Kosovës, sot pritet të betohen tre kryetarët e rinj të komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të tria komuna të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

“Ka sfida që do të na përcjellin, mirëpo jemi të fokusuar… dhe jam shumë i interesuar që të kemi një ekip shumë të fortë, që do ta zbatojë ligjin dhe do të punojë në interesin e gjithë qytetarëve, pa dallime”, tha ai përpara betimit.

Radio Evropa e Lirë ka parë agjendën e mbledhjes së Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, ku parashihet që dhënia e betimit të kryetarit të komunës të nisë nga ora 10 e 10 minuta dhe më pas të ketë një fjalim nga kryetari i sapobetuar.

Ndërsa, në Zveçan, kryetari Ilir Peci do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.

Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje u organizuan pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.

/GazetaSinjali/