image Zemaj: Respiratorët e dhuruar nga Gjermania vlejnë 500 mijë euro

Shëndetësi

Zemaj: Respiratorët e dhuruar nga Gjermania vlejnë 500 mijë euro

news image

Sot, shteti i Gjermanisë i ka dhuruar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës 15 respiratorë, të cilët janë financuar nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas, ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlera e këtij donacioni është 500 mijë euro.

“Pesëmbëdhjetë respiratorë për QKUK-në është ndihma e radhës që sot pranuam nga shteti mik, Gjermania. Bashkë me ambasadorin, z. Jörn Rohde, ishim në ceremoninë e pranim-dorëzimit të 15 respiratorëve në vlerë prej rreth 500.000 euro, të cilët janë financuar nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj në Facebook.

Ministri i Shëndetësisë përmendi po ashtu që ky shtet javë më parë i dhuroi Kosovës mijëra teste RT-PCR për COVID-19.

“Këto ditë, misioni i Institutit “Robert Koch” e ka vlerësuar lartë punën tonë profesionale dhe suksesin e menaxhimit të pandemisë, duke e certifikuar edhe Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së, testet e të cilit do të pranohen në Gjermani, e me këtë qytetarëve dhe mërgimtarëve tanë iu lehtësohet kalimi i kufijve për në shtetet e BE-së”, ka shkruar Zemaj, duke shprehur mirënjohje për ndihmën e Gjermanisë në këtë kohë të vështirë.

“Nëpërmjet ambasadorit, z. Jörg Rohde, falënderoj taksapaguesit gjermanë për ndihmën që ky shtet na ka dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, e cila është tejet e rëndësishme për shëndetësinë tonë. Faleminderit Gjermani!
Vielen Dank Deutschland”, ka përfunduar Zemaj./Gazeta Sinjali/