image Përplasje me fotografi ndërmjet Zemajt dhe deputetëve të LVV-së: Këta filma te unë nuk shiten

Shëndetësi

Përplasje me fotografi ndërmjet Zemajt dhe deputetëve të LVV-së: Këta filma te unë nuk shiten

news image

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka dhe Fitim Haziri janë përplasur me fotografi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Zemaj ka thënë se më 12 qershor, kryeministri Avdullah Hoti ka qenë i tmerruar me pamjet nga tubimi i LVV-së që i mblodhi në shesh mijëra qytetarë, duke ua treguar deputetëve disa fotografi nga ky tubim. Dy deputetët e LVV-së iu përgjigjën gjithashtu me fotografi nga vizitat dhe aktivitetet e Hotit, duke pretenduar se nuk ishte mbajtur distanca fizike dhe s’ishin respektuar rekomandimet e IKSHPK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

“Z. Avdullah Hoti ka qenë i shqetësuar më 12 qershor. A di për çka ka qenë i shqetësuar? Këqyre.. (duke treguar fotografinë). Është tmerru.. Dëgjo.. është tmerru nga këto pamje. Është tmerru kur ka pa mijëra qytetarë që i keni mbledhë dhe i keni ekspozu ndaj rrezikut ndaj pandemisë. Qe qe me ngjyra (ka treguar një fotografi tjetër)…”, ka thënë Zemaj.

Në anën tjetër, dy deputetët e LVV-së i mbanin të ngritura 2-3 fotografi nga aktivitetet e Hotit dhe zyrtarëve tjerë të qeverisë.

Duke i palosur fotografitë, Zemaj u tha deputetëve të LVV-së: “Andaj këta filma të juaj te unë nuk shiten. As këto interpretime nuk shiten. Kaq”.

“Po më vjen mire që po i përcjellë deklaratat e kryeministrit. Përcjelli me vëmendje se ke me msu shumë, ti edhe subjekti yt politik”, i tha Zemaj njërit prej deputetëve të LVV-së gjatë shkëmbimit të replikave.

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, e kritikoi ministrin sepse sipas tij, Zemaj nuk u përgjigj në asnjë pyetje të shtruar.

“Faleminderit për mosdhënie të përgjigjeve në asnjë prej pyetjeve të cilat unë i kam shtru”, tha fillimisht Uka.

“Unë t’u përgjigja në të gjitha. Duhesh me më dëgju…”, iu përgjigj mes tjerash, Zemaj. /Gazeta Sinjali/