Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, së fundmi ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë duke thënë se do të ishte padrejtësi nëse e njëjta ministri nuk ua vazhdon kontratat mjekëve, laborantëve, infermierëve dhe stafit mbështetës, të cilët janë përballur me pandeminë.
Ish-ministri Zemaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova nuk e ka luks të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor, duke theksuar se largimi i kuadrit më besnik dhe të mirë që u përballë me pandeminë, do të ishte padrejtësi.
“Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor! Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodh, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat!”, ka shkruar Zemaj.
Ai tutje shtoi se, ikja e mundshme e kuadrit të arsimuar shëndetësor është papërgjegjësi e Qeverisë dhe njëkohësisht i bëri thirrje Qeverisë, që përtej fjalëve të mira, t’ua vazhdojë kontratat atyre.
“1.271 mjekë, infermierë, laborantë, inspektorë dhe staf mbështetës të angazhuar në luftimin e pandemisë meriton respekt. Respekti institucional, përtej fjalëve të mira, do të ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Ndryshe, ikja e kuadrit të arsimuar shëndetësor dhe jo vetëm është papërgjegjësi e Qeverisë“, tha Zemaj.