Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për rritjen e rasteve të reja me COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas tij, numri i infektimeve me koronavirus është rritur për 2 mijë e 500 për qind.
Andaj, Zemaj ka kërkuar nga kryeministri që t’i përvishet punës për menaxhimin e pandemisë, pasi që shtatori është afër dhe deri tani janë vaksinuar vetëm dhjetë për qind e qytetarëve.
“Kryeministër, pandemia nuk është lojë. Virusi ishte dhe është në mesin tonë, ndaj tento të punosh. Veç një herë në jetën tënde vendos dhe tento të punosh. Tento, mos u frikëso. Deklaratat pa punë janë veç fjalë të thata e të pamatura si dhe kanë kosto për qytetarët. Sipas Kurtit, virusi vetvetiu do të duhej të hiqej pas 14 shkurtit, por ja që nuk ndodhi. Ai kishte deklaruar e ishte lavdëruar se pandeminë e mundi, mirëpo dje, nga 9 raste i kemi 221 raste të reja me Covid 19, përkthyer ndryshe është një rritje prej afërsisht 2,500%.”
“Kryeminister , aman përvjeli mëngët, e jo ‘mindilin’, se nuk bën, nuk funksionon, besom. Me ‘mindilin’ tënd mundesh veç të qash me lot, se me menaxhu pandeminë e ke të kotë. Nuk menaxhohet pandemia me retorikë boshe. Mos të harroj që ta kujtoj se as 10% të qytetarëve nuk i ke të vaksinuar !Shtatori po vjen”, shkroi ai në Facebook./Gazeta Sinjali/