Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, para mediave theksoi se Qeveria Kurti nuk ka plan dhe as aftësi që të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë.
“Qeveria Kurti s’ka plan dhe duket se s’ka as aftësi që të menaxhojë me shëndetësinë. Një ministër e largoi në mes të pandemisë që të fitojë pushtet. Ministri i parë i dështuar që u largua që të kandidojë për të parin e Prishtinës”, tha Zemaj.
Deputeti nga LDK-ja më tej theksoi se Kurti caktoi një ministër që nuk kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë. Shumicën e mandatit e kaloj nëpër konferenca. Dorëheqja edhe e një ministri dhe caktimi i një ekipi ekzekutiv tregon se kryeministri edhe kjo Qeveri e ka pranuar dështimin në këtë sektor.
“Vetëm 5 për qind investime kapitale në shëndetësi janë realizuar gjatë këtij viti. Kjo është një mesatare edhe më e tmerrshme se një mesatare prej 10 për qind e realizimi nga të gjitha ministritë e vendit”, tha Zemaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë theksoi më tej se lista e pritjes ka arritur deri në fund të vitit të ardhshëm.