Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit tha se masat e liruara gjatë sezonit veror kundër përhapjes së koronavirusit do të jenë njollë në institucionet tona, duke shkaktuar shumë vdekje. Ai tha se Ministri i Shëndetësisë është treguar i papërgjegjshëm dhe duhet të shkarkohet.
Tutje ai tha se duhet edhe të kërkohet falje publike ndaj deputetëve dhe të gjithë familjarëve që ai vlerëson se kanë pësuar nga masat dhe mos mbikëqyrja e tyre nga ana e Qeverisë.
“Ky Ministër i Shëndetësisë u tregua shumë i papërgjegjshëm nuk e pranoi përgjegjësinë, por e pranoi gabimin, e gabimi kushton, këtë gabim duhej ta merrte për bazë edhe vetë kryeministri me shkarkimin e këtij Ministri të Shëndetësisë i cili u tregua skandaloz”
Ai tutje deklaroi se paralajmërimet e LDK-së në muajin qershor dhe në fillim të korrikut Qeveria i neglizhoi dhe u tallë.
“Më 2 gusht ishte hedhur alarmi se variant Delta ka përfshirë në masë të madhe në shpërndarjen e infeksionit, kryeministri Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë dolën duke u krekosur se pandemia ka marrë fund dhe qytetarët mund të ndihen të lirë të jetojnë e veprojnë, pa mbikëqyrje të masave pa kufizime dhe pa kujdes të veçantë në ruajtjen e shëndetit publik, kjo prodhoi pasoja të tmerrshme. Masa të papërgjegjshme që do të jenë njollë në institucionet tona….Kur infeksioni u dhjetëfishua, qeveria vazhdoi me relaksimin e masave. Largoi punëtorët shëndetësorë dhe inspektorët dhe u fshehën” /Gazeta Sinjali/