Pas konfirmimit të 98 rasteve të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar që masat anti-covid të respektohen nga çdo kush dhe në çdo kohë, raporton Gazeta Sinjali.
Ai ka kërkuar që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë me komunat dhe shtabet emergjente të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Ministri Zemaj tha se nga nesër do të jenë në terren 75 inspektorë sanitarë, ndërsa ka kërkuar që policët të rikthejnë orarin 12 orësh të punës.
“Inspektimet do të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të shqiptohen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe nuk do të lejohet asnjë lloj shkarje prej ligjit, i cili duhet të zbatohet me përpikëri. Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.
Zemaj tha se do të mbyllen pa paralajmërim të gjitha lokalet që do të organizojnë dasma dhe tubime të tjera familjare.
“Tashmë kur lakorja e infeksionit po rritet në Evropë dhe Botë, dhe kur masat e mbylljes dhe karantina po kthehen në ato vende me risk të lartë të infeksionit, ne si Kosovë nuk guxojmë t’i lemë rastit asgjë. Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve dhe të gjithë së bashku do të ia dalim”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/