Pas rritjeve të rasteve pozitive me COVID-19 në kryeqytet, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj janë takuar.
Ahmeti bashkë me drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashin dhe atë të Inspekcionit, Adonis Tahirin, kanë diskutuar me Zemajn për gjendjen me COVID-19 në kryeqytet.
Pas këtij takimi, ministri Zemaj ka bërë të ditur se në këtë takim kanë biseduar për menaxhim më të mirë të situatës me COVID-19.
“Biseduam për menaxhim më të mirë të situatës. Për një dinamikë të shtuar, koordinimin me Policinë dhe shpërndarjen e të mirave materiale. Do të shtojmë mbikqyrjen, llogaridhënien e të gjitha niveleve. Jemi një ndër pesë vendet me situatën më të mirë në Evropë. Akoma jemi në zonën e gjelbër. Na duhet disiplinë e përkushtim që të mbajmë jetën publike gjallë. Aty ku është nevoja na duhet të shtojmë mbikqyrjen”, ka thënë Zemaj.
Gjithashtu Zemaj ka bërë të ditur se do ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
“Ne do vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Viti shkollor po vazhdon me sfidat e veta, na duhet vetëm respektimi i masave. Rritja e numrit është si pasojë e mosdisiplinës së individëve. Mos i vritni familjarët e juaj. Dje kemi patur një rast të moshuar që ka vdekur si pasojë e asaj që dikush ia ka çuar virusin te shpija” ka thënë Zemaj./ Gazeta Sinjali/