image Zemaj bashkë me ekspertët gjermanë dhe të OBSH-së vizitojnë Spitalin e Prizrenit

Shëndetësi

Zemaj bashkë me ekspertët gjermanë dhe të OBSH-së vizitojnë Spitalin e Prizrenit

news image

Nikoqir i ekipit të ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë të institutit gjerman të shëndetit publik “Robert Koch” dhe përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sot ishte Prizreni.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm “ Dr. Daut Mustafa” për të parë nga afër se si ky spital po e menaxhon situatën me pandeminë, si dhe punën dhe sfidat e stafit shëndetësor.

“Së bashku, vizituam Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku pamë nga afër se si ky spital po e menaxhon situatën me pandeminë, si dhe punën dhe sfidat e stafit shëndetësor.

Po ashtu, vizituam edhe Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike ( QRSHP) në Prizren, degë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ku nga drejtori dr. Fadil Kryeziu u informuam në detaje për mbarëvajtjen e punës dhe procesin e testimeve të Covidit-19.

E falënderova personelin shëndetësor për punën e palodhur në luftën kundër virusit. Ne po bëjmë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet e stafin dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët.

Zemaj shkruan se përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, OBSH dhe të institutit “Robert Koch” të Gjermanisë e vlerësuan lart punën tonë profesionale dhe suksesin në menaxhimin e pandemisë”.

Ai tutje thotë se falë punës profesionale që ne po bëjmë, instituti “Robert Koch” i Gjermanisë do t’i njohë testet PCR të bëra në Kosovë, sepse këto ditë e ka futur në listën pranuese edhe Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së.

“Ky është një hap i madh në këtë kohë të pandemisë, sepse përveç se vlerësohet dhe konfirmohet puna dhe suksesi ynë nga Gjermania dhe shtetet e BE-së, ne po e rregullojmë edhe pranimin-njohjen e testimeve të PCR-së të bëra në Kosovë, në mënyrë që qytetarëve dhe mërgimtarëve tanë t’u lehtësohet kalimi i kufijve për në shtetet e BE-së.

Puna dhe sukseset tona po vlerësohen edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ( OBSH), si donatori dhe partneri ynë strategjik. Falë mbështetjes që po na ofron në këto ditë OBSH-ja, do të punësojmë edhe 375 profesionistë shëndetësorë, për fuqizimin e luftës kundër pandemisë”, përfundon Zemaj./Gazeta Sinjali /