image Zelensky paralajmëroi konflikte në Ballkan, Peleshi: Ekziston rreziku për t’u rizgjuar konfliktet e fjetura

Politikë

Zelensky paralajmëroi konflikte në Ballkan, Peleshi: Ekziston rreziku për t’u rizgjuar konfliktet e fjetura

news image

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka ndarë shqetësimin se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se Zelensky mund të jetë disi nga konteksti, por shtoi se ka një të vërtetë që pas agresionit rus në Ukrainë, stabiliteti është goditur.

“Kemi një rikthim në atë që mendonim se nuk do të ndodhte, në politikën e zonave të influencës por ja që agresioni rus në Ukrainë e solli dhe kjo na sjell tronditje të shumë ekuilibrave ndërkohë që në rajone si Ballkani Perëndimor ku ka konflikte të fjetura, rreziku për t’u rizgjuar ekziston”.

“Tri nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s, Kosova është vend aspirant, të gjithë vendet duan të bëhen pjesë e BE-së. Ka shtete si Serbia që e quajnë veten vende neutrale, që në qoftë se do të ishte ndryshe Ballkani do të ishte më stabel ku të gjithë të ishim pjesë e Aleancës dhe kufiri me lindjen kërcënuese të ishte i përcaktuar qartësisht”, tha Peleshi për Euronews.al.

Më tej, Peleshi tha se zhvillimet në Ukrainë kanë riaktivizuar disa vatra tensioni, ku përmendi ngjarjen në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se “kemi agresionin  e 24 shtatorit, një agresion që meriton të quhet terrorist”.

“Këto janë shenja jo të një kërcënimi aq të madh sa te flasim për luftë por gjithsesi duhet të jemi të vëmendshëm. Ekuilibrat kanë ndryshuar, Shqipëria si anëtare e NATO-s është një nga vendet e para në NATO që me këtë buxhet arrin 2% të GDP në vitin që vjen, gjë qe na jep më shumë mundësi të modernizohemi, jo për tu përgatitur për luftë sepse nuk e mendojmë këtë skenar, është i papërfillshëm, për shkak të prezencës të NATO në rajon dhe KFOR në Kosovë”.

“Mbrojta sot realizohet përmes shkurajimit, sa më shumë forcohet ushtarakisht NATO dhe çdo aleat i saj, përmes rritjes së kapaciteteve aq më lart shtyjmë skenarët me të këqij. Bota po ndryshon, Shqipëria është duke ecur drejt një integrimi të shpejtë në BE, anëtarësimi në BE është garancia afatgjatë për Ballkanin Perëndimor”, tha Peleshi.

/GazetaSinjali/