Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një rast të përleshjes mes disa personave në rrugën ‘Bill Klinton’ në kryeqytet, ku mes të tjerave dyshohet se u përdorën edhe armë zjarri. Pas veprimeve hetimore janë identifikuar të dyshuarit, teksa Sinjali ka mësuar detaje të reja lidhur me rastin.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në afërsi të lokalit ‘Frix’, ku për shkak të një borxhi që një 30-vjeçar ia kishte një personi, ky i fundit i ka dalë në pritë i shoqëruar me dy persona tjerë.
Në rrahje dyshohet se janë përfshirë katër persona, ku njëri nga të dyshuarit ka nxjerrë armën dhe ka shtënë me të, mirëpo nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e cila dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast e po ashtu janë vërejtur edhe njolla gjaku.
Pas veprimeve hetimore janë identifikuar të dyshuarit, të cilët fillimisht kanë marrë ndihmë mjekësore në spital së bashku me 30-vjeçarin e më pas janë shoqëruar në stacion policor për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Të dyshuarit kanë dorëzuar në Polici armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në rast, bashkë me një karikator dhe fishekë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.