image Zbulohet identiteti i personit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë, dërgohet në mbajtje

Siguri

Zbulohet identiteti i personit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë, dërgohet në mbajtje

news image

Foto ilustruese


Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në rrugën ‘Beteja e Koshares’ në Pejë, ku si pasojë ka humbur jetën 22-vjeçari, Arjan Zekaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet, është Ali Morina, 73-vjeçar.

Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të një kthimi të pasigurt të Morinës, i cili me këtë veprim i kishte bllokuar rrugën të riut që po drejtonte motoçikletën.

Sinjali mëson se si pasojë e kësaj, Zekaj është ndeshur në automjet e më pas është përplasur me një shtyllë elektrike.

22-vjeçari është dërguar me urgjencë për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, mirëpo i njëjti nuk kishte arritur që t’i përballojë plagët e marra. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i moshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/