image Zbulohen pronat e të arrestuarve për fajde në Pejë - Detaje nga seanca ku u shqyrtua kërkesa për ngrirjen e aseteve

Drejtësi

Zbulohen pronat e të arrestuarve për fajde në Pejë – Detaje nga seanca ku u shqyrtua kërkesa për ngrirjen e aseteve

news image

Gjykata Themelore në Pejë ka mbajtur dje seancë për shqyrtimin e kërkesës për ngrirjen e pasurive të 17 të dyshuarve që u arrestuan javë më parë, si të dyshuar për fajde.

Sinjali mëson se në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë që të ngrihen asetet e të dyshuarve me qëllim të parandalimit të çfarëdo transaksioni deri në momentin e përfundimit të hetimeve. Mbrojtësit e të dyshuarve gjatë kësaj seancë kanë kundërshtuar këtë urdhër dhe kanë kërkuar nga gjykata që një kërkesë e tillë të refuzohet.

17 të ndaluarit që dolën dje para gjykatës si të dyshuar për veprat penale fajde dhe detyrim janë:

Aslan Rexhaj nga Peja, Kismet Krasniqi nga Deçani, Isa Camaj nga Peja, Sokol Sembogaj nga Peja, Besnik Mehmetaj nga Peja, Driton Podrimçaku nga Peja, Fafil Zhabollaj nga Peja, Tafil Alimusaj nga Deçani, Astrit Grabovci nga Peja, Petrit Kastrati nga Peja, Valon Kastrati nga Peja, Alush Bajraktaraj nga Istogu, Labinor Elshani nga Peja, Shaip Mehmetaj nga Peja, Orhan Lukaj nga Peja, Sulë Jusaj nga Peja dhe Astrit Kastrati nga Peja.

Prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se ka dyshime se pasuria të cilën e disponojnë 17 të dyshuarit është produkt i veprës penale të fajde dhe detyrimit. Sipas saj në bazë të hetimeve të deritanishme, rezulton se ka shpërputhje të madhe të pasurisë që disponojnë të dyshuarit dhe transaksionet e kryera me të hyra reale që të njëjtit i kanë.

Por çfarë dihet për pronat e të dyshuarve dhe çka deklaruan mbrojtësit e tyre në seancën e djeshme?

Sipas Gashit, në bazë të asaj që ka identifikuar Prokuroria deri më tani, rezulton se:

I dyshuari Astrit Grabovci vetëm në emrin e tij ka 5 patundshmëri të regjistruara ,

I dyshuari Petrit Kastrati 4 patundshmëri në emrin e tij,

I dyshuari Alush Bajraktari gjithsej 16 patundshmëri,

I dyshuari Besnik Lajqi 4 patundshmëri,

I dyshuari Regjep Elshani gjithsej 26 patundshmëri ,

I dyshuari Driton Podrimqaku 3 patundshmëri,

I dyshuari Kismet Krasniqi 1 patundshmëri,

I dyshuari Besnik Mehmetaj 1 patundshmëri,

I dyshuari Shaip Mehmetaj 8 patundshmëri,

I dyshuari Orhan Lukaj 8 patundshmëri,

I pandehuri Sokol Dembogaj 5 patundshmëri,

 I pandehuri Tafil Alimusaj 4 patundshmëri,

I pandehuri Sylë Jusaj 7 patundshmëri dhe 1 patundshmëri e lënë në hipotekë,

I pandehuri Enver Dreshaj vetëm në emër të tij janë evidentuar 10 patundshmëri.

Tutje, sipas prokurores, për të dyshuarit Petrit Kastrati, Besnik Lajqi, Regjep Elshani, Kismet Krasniqi, Besnik Mehmetaj dhe Asllan Rexhaj nuk figuron se kanë biznese të regjistruara.

Asllan Rexhaj

Prokurorja ka deklaruar se të i dyshuaru Asllan Rexhaj, i cili është pensionit, është gjetur shpërputhje të plotë mes burimeve legale të pasurisë me asetet që i disponon dhe transaksionet e mëdha të kryera gjatë viteve të fundit dhe siç rezulton nga përmbledhja për periudhën 2015 – 2021 nga pesë llogari të hapura në institucione t të ndryshme financiare.  Sipas Gjykatës, përkundër transaksioneve me mbi një million e gjysmë euro, Rexhaj është kujdesur që në konto te këtë shuma jashtëzakonisht të vogla ose fare, në këto llogari. Në emrin e tij rezultojnë 8 prona apo patundshmëri.  Sa i përket qarkullimeve bankare në periudhën 2018 – 2021, i dyshuari në shumicën e pozitave përdoret arsyetimi huazim dhe kthim borxhi.

Rexhep Elshani

Sipas prokurores Rexhep Elshani nuk figuron nga të dhënat se ka ndonjë biznes të regjistruar e as që është i punësuar. Në bazë të hetimeve, të hyrat e tij, Sahide Gashi thotë janë kryesisht nga shitblerja e patundshmërive dhe deponimeve kesh të panjohura.

Tafil Alimusaj

Sa i përket të dyshuarit Tafil Alimusaj, prokuroria Gashi ka deklaruar se nga hetimet financiare ku hyjnë llogaritë bankare dhe të dhënat nga asgjencioni kadastral i Kosovës rezultojnë qarkullime të mëdha të të hollave dhe pasurisë. Ndër të tjera, sipas prokurores, është gjetur se janë kryer edhe huazime përmes llogarisë bankare në dy raste, ne emër të viktimës (emër i njohur për redaksinë) dhe nën opsionin kthim borxhi për të dyshuarin Isa Camaj. 

Astrit Grabovci

Ndërsa, për të dyshuarin Astrit Grabovci, prokurorja ka deklaruar se edhe pse në deklarimin vjetor të të ardhurave e ka një biznes nga ortakëria “Koha Turs”, i njëjti ka deklaruar zero fitim në qarkullim.

Mbrojtësi i të dyshuarit Asllan Rexhajt, ka kundërshtuar urdhrin ndalues që të ngrihen 20 prona të klientit të tij, ndër të cilat janë edhe dy banesa të blera nga djemtë e Asllanit. Sipas tij Prokuroria nuk kishte prezantuar prova të artikulueshme se paluajtshmëria e klientit të tij ishte si rrjedhojë e veprës penale.

Edhe mbrojtësi i Kismet Krasniqit, e ka kundërshtuar propozimin e Prokurorisë së Pejës për ngrirjen e pasurisë, që kjo e fundit po kërkon nga Gjykata e Pejës.

Ndërsa avokati i Shaip Mehmetajt  ka deklaruar se lidhur me 8 pronat që kërkohen të ngrihen, të njëjtat janë blerë qysh në vitet e ’80-ta nga babai i tij, ku prej vitit 2006 deri në vitin 2008 janë bartur në emrin e Shaip Mehmetajt. Sipas tij këto prona edhe pse janë të familjarëve gjegjësisht të vëllezërve të tij, ato vetëm rezultojnë në emrin e tij. I njëjti ka deklaruar se si mbrojtës nuk ka pranuar asnjë provë të vetme për këto dyshime.

Në seancën e djeshme edhe mbrojtësit e të dyshuarve të tjerë kanë kundërshtuar këtë kërkesë dhe kanë kërkuar që e njëjta të refuzohet meqë sipas tyre nuk ka prova.

Kujtojmë se gjatë aksionit të arrestimit të të dyshuarve janë sekuestruar: edhe 45 mijë e 700 para të gatshme, 10 vetura, 12 armë të zjarrit, mbi 540 fishekë dhe 15 telefona.

Shuma që është ngrirë përllogaritet të jetë më shumë se 5 milionë euro, ka njoftuar Prokuroria.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/