Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në kohën kur Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Visar Ymeri, tani në partinë Socialdemokrate, pas publikimit të ekspertizës zvicërane për Deharin thotë se hetimi për vdekjen e Astritit është bërë shkel e shko dhe në drejtim të gabuar.
Këto komente Ymeri i ka bërë në profilin e tij në Facebook.
“U deshtën 3 vjet që e vërteta të fillojë të zbardhet. Por drejtësia është ende larg.
Raporti i Institutit zviceran mes tjerash e vë në pah që hetimi për vdekjen e Astritit është bërë shkel e shko dhe në drejtim të gabuar. Ky drejtim i gabuar ka pamundësuar hetimin e plotë për ta zbardhë të vërtetën. Prokuroria atëbotë ishte e orientuar kah marrëdhëniet me publikun e jo te hetimi, e aq më pak te drejtësia. Pa drejtësi për Astritin, pa të vërtetën për Astritin, nuk ka as drejtësi e as të vërtetë për Kosovën. Secili përgjegjës duhet gjetur. Secili fajtor duhet dënuar”, ka shkruar Ymeri, transmeton Gazeta Sinjali.