Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Xhavit Rexhaj, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit.
“Duke i uruar suksese në detyrë e re, kryeministri Kurti vlerësoi se përvoja profesionale e Rexhajt në fushën e arsimit dhe shkencës, do të jetë ndihmës në avancimin e sektorit të arsimit”, thuhet në njoftim.
Emërimi i tij erdhi pas propozimit të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili sot përmes një postimi propozoi emrat e zëvendësministrave nga radhët e LDK-së.
Kush është Xhavit Rexhaj?
Xhavit Rexhaj është profesor, i cili siç bënë të ditur Mustafa, ka udhëhequr grupin e ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për hartimin e programit të arsimit të LDK-së.
Rexhaj ka mbaruar studimet master në Varshavë e në Oxford në fushën e studimeve britanike, në Prishtinë e në Zagreb në fushën e Letërsisë Angleze dhe Pedagogjisë.
Ai ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktorale në Universitetin e Nju Jorkut dhe të Los Angjelosit.
Rexhaj, gjithashtu, ka mbaruar specializim në fushën e reformave të arsimit të lartë në Budapest.
Ai ka qenë drejtor i departamentit të arsimit në Ministrinë e Arsimit. /Gazeta Sinjali/