image Weber: Zgjedhjet e reja nuk janë në favor të opozitës

Politikë

Weber: Zgjedhjet e reja nuk janë në favor të opozitës

news image

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashembullt në Kosovë dhe nëse ky vend nuk përballet sërish me zgjedhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shumë punë para vetes.

Por, edhe nëse zgjedhjet mbahen, për shkak të mospajtimeve eventuale për pozitën e presidentit, një skenar i tillë nuk është në favor të partive opozitare.

Kështu vlerëson Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin.

“Është e vështirë të supozohet se ato, (partitë opozitare) do të dilnin më mirë në zgjedhjet e reja, të cilat vetëm do të ndërprisnin formimin e Qeverisë Kurti për disa muaj, si dhe do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve, duke mbajtur zgjedhje të reja në kushte të pandemisë. Kjo vetëm do ta dëmtonte opozitën dhe përfundimi do të ishte po i njëjtë, ose Kurti do të fitonte përqindje edhe më të madhe”, ka thënë Weber në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave. Më 22 mars të këtij viti, kjo parti ka formuar qeverinë e re, me 67 vota të deputetëve të Kosovës.

Kurti e ka formuar ekzekutivin e ri me partitë e komuniteteve joserbe. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të drejtohen nga gratë.

Në mesin e sfidave të para të Kurtit është zgjedhja e presidentit të ri. Për këtë pozitë, LVV-ja, ka nominuar Vjosa Osmanin.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të kenë votë për Osmanin./GazetaSinjali/