image Takimi në Berlin/ Sa herë Gjermania i bëri bashkë liderët e Kosovës me ata të Serbisë?

Politikë

Takimi në Berlin/ Sa herë Gjermania i bëri bashkë liderët e Kosovës me ata të Serbisë?

news image

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më 4 maj do t`i pres në takim në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas një njoftimi nga qeveria gjermane, i ftuar nga kancelari gjerman do të jetë edhe emisari special i  Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Ky nuk është organizimi i vetëm nga Gjermania, për t’i bërë bashkë liderët kosovarë dhe ata serbë.

Një i tillë ndodhi edhe me 6 tetor të vitit 2021, si pjesë e Samitit të Udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, ku në takim ndërmjetësuan ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Merkeli atëherë ishte shprehur se ndërmjetësimi ishte i vështirë, mirëpo kishte përparime të lehta, gjë me të cilën ishte pajtuar edhe Macroni.

“E kemi diskutuar projektin më të ri të bashkëpunimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal, këtu nuk janë përmbyllur të gjitha pjesët e tij, pikërisht për këtë, folëm me Kosovën dhe Serbinë rreth zgjidhjes së probleme që kanë mbetur, kjo është goxha e vështirë, por ka përparime të lehta”, ishte shprehur Merkeli.

Ndërkaq, kryeministri Kurti për këtë takim ishte shprehur se biseduan për lirinë e lëvizjes dhe pranimin e diplomave.

Në shkurt të vitit 2020 në Mynih të Gjermanisë, ndodhi edhe një ballafaqim tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishin delegacionet e të dyja vendeve që u bënë bashkë në qytetin gjerman për të firmosur ujdi.

Bëhet fjalë për marrëveshjen për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me Bashkimin Evropian.

Këto u arritën me ndërmjetësimin e ish-të dërguari të posaçëm amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.  Në ceremoninë e nënshkrimit pjesëmarrës ishin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, në maj të vitit 2018, ishte Samiti i Sofjes ai i cili bëri që ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, të ftojë ish-presidentin i Kosovës, Hashim Thaçi për një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i tyre ndodhi pas realizimit të fotografisë familjare të Samitit të Sofjes, në të cilën u panë të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje.

Sa i përket takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit i cili do të ndodh pas tre ditësh, ende nuk dihen temat e diskutimit, mirëpo është bërë e ditur se në qendër të dy takimeve të veçanta do të jenë qëndrimet ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti qeveria gjermane emëroi politikanin Manuel Sarrazin të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse në qeveritë e mëparshme gjermane, nuk ka pasur pozitë të tillë.

/GazetaSinjali/