Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se kanë votat për të rrëzuar Qeverinë Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
Kusari-Lila gjatë një prononcimi për media, ka kritikuar edhe një herë qeverisjen e tanishme, derisa thotë se shkarkimi i ekzekutivit është e domosdoshme.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka 31 deputetë ndërsa për të thirrur seancën për votën e mosbesimit të qeverisë nevojiten 40 nënshkrime. Përderisa për të rrëzuar qeverinë natyrisht duhet një shumicë e thjeshtë, apo 61 deputetë. Kjo qeveri tashmë ka muaj që nuk është funksionale në kuptimin e legjitimitetit në Kuvend , ka probleme bazike pasi nga 61 vota që votuan këtë qeveri një votë është e burgosur, apo një deputet është prapa grilave për shkak të një vepre penale të kryer më herët. Ka vazhdimisht përçarje brenda koalicionit të brendshëm”, tha ajo për “Euronews Albania”.
“Në ndërkohë kemi edhe Listën Serbe të cilët kanë deklaruar se për arsye të cilat i di z.Hoti ata nuk do të marrin pjesë në seanca dhe nuk e mbështesin qeverinë dhe do të ofrojnë votat për të rrëzuar qeverinë. Ndërkohë kemi në të gjitha grupet parlamentare deputetë të pakënaqur me qeverinë aktuale, përfshirë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputet të partisë opozitare, PDK”, u shpreh deputetja nga VV.
Ajo tutje thotë se sfida kryesore është sigurimi i nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.
“Duket se sfida kryesore është ardhja deri te një seancë në të cilën do të vihet një pikë e rendit të ditës dhe kjo është mocioni për rrëzimin e qeverisë”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila po ashtu pret vota edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës përfshirë zonjën Osmani dhe z. Haxhi Avdyli, të cilët tashmë janë gati të përjashtuar nga partia por që gjithashtu kanë bashkëpunuar deri tash në nismat e Vetëvendosjes, gjegjësisht partive opozitare”, tha ajo. /Gazeta Sinjali/