image VV-ja reagon pasi Telekomit iu bllokuan llogaritë: Veprim i orkestruar

Financa

VV-ja reagon pasi Telekomit iu bllokuan llogaritë: Veprim i orkestruar

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas njoftimit për bllokimit të llogarive të Telekomit të Kosovës, për shkak të borxhit 24.6 milionë euro që kjo ndërmarrje ka ndaj kompanisë Dardafone.net, shkruan Gazeta Sinjali.

LVV-ja vlerëson se ky borxh është fiktiv, i sajuar gjatë proceseve të orkestruara.

Sipas kësaj partie, Telekomi i Kosovës ka pak të ardhura të cilat momentalisht thotë se po i përdorë për pagat e punëtarëve dhe operimin e shërbimeve bazike, të cilat thotë se po shpenzohen me kujdes nga menaxhmenti i ri.

“Çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

LVV-ja ka ironizuar me Gjykatën Themelore të Prishtinës për nxjerrjen e këtij vendimi brenda 2 javësh, duke thënë se ky vendim është në favor të kompanisë së Devollëve, me qëllim të rrënimit të Telekomit.

“Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Padrejtësinë dhe turpin e Gjykatës Themelore nuk duhet ta tolerojë Gjykata e Apelit në të cilën tashmë është kontestuar ai vendim i padrejtë dhe që i shkakton dëme të mëdha Telekomit. Ky rast e dëshmon nevojën edhe më të madhe të procesit të vettingut në mënyrë që vendi ynë përfundimisht të ketë gjyqtarë të pavarur dhe të pakorruptuar që nuk i nënshtrohen politikës dhe nuk shkatërrojnë ekonominë”, thuhet tutje në reagim.

Vetëvendosje ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe “të marrë qendrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend”./Gazeta Sinjali/